
Gjermania është e brengosur thellë nga tejzgjatja e krizës politike në Maqedoni. Shefi i diplomacisë gjermane, Guido Westerwelle, porositi nga Shkupi liderët maqedonas që të tregojnë më tepër gatishmëri për kompromis për të tejkaluar krizën politike.
Westerwelle po ashtu kërkoi të respektohen edhe raportet mes maqedonasve dhe shqiptarëve, në bazë të Marrëveshjes së Ohrit.
“Ne jemi të brengosur për shkak të krizës së brendëshme politike këtu në Shkup, e cila është tejzgjatur. Prandaj dua të apeloj që të respektohen rregullat demokratike dhe të vendoset një praktikë e mirë parlamentare. Ky apel i dërgohet të gjithëve. Ne po ashtu duam që të vendosen raporte edhe në bazë të respektit të ndërsjellë mes maqedonasve dhe shqiptarëve, duke respektuar Marrëveshjen e Ohrit. Apeloj tek të gjithë që të mendojnë për ardhmërinë e vendit dhe të tregojnë gatishmëri për kompromis dhe fleksibilitet për t’u kthyer rendi demokratik në vend”, tha Westerwelle.
Kryediplomati gjerman theksoi se vendi i tij mbështet fuqishëm integrimimin e të gjitha shteteve të rajonit në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, para kolegut të tij maqedonas Nikolla Popovski, ai përsëriti edhe një herë vlerat e përbashkëta të BE-së, siç janë respektimi i demokracisë, sundimi i ligjit, fqinjësisa e mirë dhe bashkëjetesa mes kombeve të ndryshme.
Ministri i Jashtëm maqedonas tha nga ana e tij se porosia e kolegut gjerman është e qartë, duke shtuar se Shkupi mbetet i përkushtuar drejt proçeseve euroatlantike dhe bashkëpunimit me vendet e rajonit.
Top Channel