Opozita siriane bojkoton bisedimet

23/02/2013 00:00

Opozita siriane vendosi të bojkotojë të gjitha takimet ndërkombëtare në shenjë protestë ndaj heshtjes së komunitetit ndërkombëtar për dhunën që ka përfshirë vendin.

Këshilli Kombëtar Sirian, organizimi udhëheqës i opozitës së bashkuar që koordinon aktivitetin politik dhe atë luftarak në terren tha se përfaqësuesit e tij nuk do të merrnin pjesë në takimin e “Miqve të Sirisë” që pritet të mbahet muajin e ardhshëm në Romë.

Ky Këshill refuzoi ftesat nga Uashingtoni dhe Moska për t’u këshilluar mbi veprimtarinë e ardhshme, ndërsa këtë të fundit e akuzoi edhe për mbështetje politike dhe ushtarake të regjimit të presidentit Bashar al-Assad.

“Heshtja ndërkombëtare mbi krimet që po kryhen cdo ditë në Siri na zbeh shpresat se ndihma për ndihmë nga jashtë në dhënien fund të konfliktit që po vret cdo ditë popullin tonë. Vecanërisht udhëheqësit rusë, mbi ta rëndon përgjegjësia morale dhe politike për mbështetjen e dhënë ndaj regjimit të presidentit Assad”, thuhet në deklaratën e opozitës siriane.

Vendimi i marrë nga ky Këshill minon përpjekjet e liderit më të zëshëm të opozitës siriane, Moaz al-Khatib për gjetjen e një rrugëzgjidhje që do t’i jepte fund konfliktit 2-vjeçar. Tre javë më parë, Khatib u shpreh i gatshëm për t’u takuar me përfaqësues të regjimit të Assad për të diskutuar mundësinë e uljes së armëve.

Ndërkohë, në terren tre raketa kanë rënë në disa zona të banuara të qytetit verior të Alepos duke vrarë të paktën 12 civilë, njoftojnë aktivistët.

Pamjet filmike të postuara në internet tregojnë situatën pas shpërthimeve, me njerëzit që mbajnë në duar të plagosurit dhe një zonë të gjerë të kthyer në gërmadhë.

Aktivistët deklarojnë se familje të shumta janë varrosur nën rrënoja në njërën prej lagjeve të goditura. Ndërkohë, politikanët opozitarë thonë se kanë rënë dakord që të formojnë një qeveri për zonat e kontrolluara nga rebelët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB