Partia socialiste mbylli punimet e Konferencës dy ditore të prezantimit të programit qeverisës të saj. Pas arsimit, shëndetësisë, rendit, teknologjisë, rinisë dhe sportit, në ditën e dytë drejtuesit e grupeve të punës prezantuan vizionin dhe propozimet konkrete të opozitës për rimëkëmbjen e vendit.

Shkëlqim Cani – Partia Socialiste ka programuar me imtësi rritje e ekonomisë, shtimin e 300 mijë vendeve të punës si mënyra bazë për të ulur varfërinë dhe për të shlyer borxhin. 

Arben Ahmetaj – Me 300 mln dollarë të munguara nga fitimi për arsye të monopoleve, për arsye të korrupsionit, për arsye të krizë ekonomike. Kjo qeveri është e kapur.

Taulant Balla – në vendimet e para të qeverisjes sonë, ne do të anulojmë menjëherë lotarinë kombëtare, kontratën e shitjes së 4 HEC-eve dhe do t’i kërkojmë prokurorisë hetime penale për të gjithë ministra, zv.ministra dhe vetë kryeministrin.

Agron Duka – Është parashikuar në programin e Partisë Socialiste 5-fishimi i investimeve publike për bujqësinë. Në programin tonë është parashikuar rehabilitimi i sistemit kullues dhe vaditës brenda 4 vjetëve.

Blendi Klosi – PS, programin e saj për rilindje infrastrukturën do ta ketë prioritet të saj. Krijimi i një rrjeti unik kombëtar, rrjet që do të ofrojë një autostradë të plotë nga veriu në jug duke krijuar boshtin kryesor Shkodër-Vlorë.

Artan Lame – Të gjitha agjensitë, ku janë e ku s’janë do t’i mbledhim në një të vetme e cila duke i patur regjistrat e plotë në 1 të vetëm, nuk lejon më fshehjen e pronave.

Maratona e prezantimit të detajuar të programit të socialistëve u bë nga kryetari Edi Rama. Në një fjalim të gjatë, ai tha se duhet t’u bëhet e qartë shqiptarëve se qeveria socialiste e dalë pas 23 qershorit do jetë kryekëput ndryshe nga qeverisja e drejtuar nga Sali Berisha, madje edhe sjellja ndaj opozitës së nesërme.

“Po ju them që kur ne të vijmë në qeveri, kurrë më kryeministri, ministrat, deputetët e mazhorancës nuk do të shkojnë të shajnë kryetarin e opozitës dhe opozitarët nëpër botë. Kurrë më nuk do të nxisin urrejtje ndaj opozitës as në Kosovë, as gjëkundi. Ky është një trup kombëtar! Por kjo vjen për arsye që janë të dukshme. Ka vetëm një gjë, vetëm një projekt, vetëm një plan, vetëm një vizion që e imponon gjithë këtë sistem keqqeverisje; është vetëm pushteti personal. Ne nuk jemi një njeri, ne jemi një skuadër dhe unë jam kryetari i kësaj skuadre. Pas meje është Partia Socialiste e Shqipërisë, mbas tij është vetëm shtëpia e vet. Pas këtij programi janë ata që patë, të tjerë që nuk dolën këtu për të folur dhe shumë e shumë të tjerë në të gjithë Shqipërinë. Pas programit të tyre është vetëm ai me deliret e tij të madhështisë dhe marrëzitë që e kanë cuar ekonominë shqiptare drejt kolapsit. Sepse është ai që i merr borxhet, por janë shqiptarët që i paguajnë borxhet, është ai që merr borxhet për rrugët që tani mu në prag të zgjedhjeve janë në të katër anët të shqepura sepse u bënë për zgjedhjet e kaluara, nuk u mendua për këto zgjedhje. Por kush paguan për ato? Paguajnë shqiptarët. Ja pra pse shqiptarët sot lëngojnë, ja pse shqiptarët nuk kanë shërbim shëndetësor sipas nevojës, ja pse shqiptarët duhet të paguajnë kudo që shkojnë sepse shteti nuk ka lek të paguajë për ta me taksat e tyre, pasi taksat e tyre merren dhe shpërdorohen. Këtë do ndryshojmë ne. Ky është ndryshimi dhe ne jemi të vendosur në qendrimin e atdhedashurisë dhe qartësisht të vendosur kundër nacionalizmit”, tha Rama.

Luis Ajala, Sekretari i Përgjithshëm i Internacionales, i pranishëm në këtë prezantim tha se ka ardhur koha që Shqipërinë ta qeverisin socialistët, pasi ai beson:

“Ne e ndjejmë se ju do të bëni atë që thatë dje, të keni një qeveri të mirë dhe pastër që do t’i shërbejë popullit. Në Kili kishim një shprehje: gëzimi po vjen! Ajo cfarë shoh tek ju është një PS gati për të fituar, Edi Ramën për të marrë një qeveri të gatshme. Ju uroj fitoren në zgjedhjet e ardhshme!”, tha zoti Ajala.

PD: Rama asgjesoi partinë

Pas përfundimit të konventës së socialistëve ka ardhur edhe një reagim nga ana e Partisë Demokratike.

“Për dy ditë me radhë, në një parodi të vërtetë në Pallatin e Kongreseve, u legjitimua asgjesimi i plotë i Partisë Socialiste dhe u themelua partia e re Rama, një amalgamë e pinjollëve të bllokut hoxhist me 99-at dhe Ramën me Mjaftin e tij. Partia Demokratike shpreh keqardhje që për herë të parë pas 20 vjetësh në betejën elektorale të 23 qershorit, nuk do të ketë përballë opozitën e vërtetë socialiste. Por duke e lënë të majtën dhe duke mos ndërhyrë në punët e brendshme të partive të tjera, PD duke uruar zotin Rama për partinë e re shpreh vullnetin e plotë dhe e gatshme të bashkëpunojë me partinë Rama, pasi për hir të së vërtetës, kjo nuk është hera e parë që ne kemi bashkëpunuar me këtë parti. Kujtojmë këtu bashkëpunimin e shkëlqyer dhe efikas që PD pati me partinë Rama, me mjaftin dhe G99 në vitin 2005 për të përmbysur qeverinë Nano”, deklaroi zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi. 

Top Channel