
Në muzeun e Kosovës u ekspozuan për herë të parë shtatë objektet arkeologjike ilire, të cilat u gjetën në Gjermani, pas një operacioni policor. Shtatë artefaktet rezultonin të vjedhura që prej viteve të pasluftës.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomeyer dhe drejtori i Muzeut të Kosovës, Shafi Gashi.
Ministri Krasniqi falenderoi institucionet gjermane për trajtimin e merituar të artefakteve dhe për kthimin e tyre në vendin që u takojnë. Ndërsa ambasadori Blomeyer u shpreh shumë i kënaqur për faktin e kthimit të këtyre objekteve me rëndësi të veçantë historike.
“Ato i përkasin këtij vendi, duhet të ruhen këtu dhe duhet t’i ekspozohen publikut këtu. Kësaj radhe ligji ka ngadhënjyer. Që nga 2008-a ne kemi arkeologë gjermanë të cilët punojnë në Ulpianë dhe tani kemi një aksion kaq të suksesshëm”, tha Blomeyer.
Artefaktet do të ruhen në Muzeun e Kosovës. Ato i përkasin periudhes së Neolitit të Mesëm. Një nga shtatë artefaktet e gjetura është një figurë e ngjashme me “Hyjnesha në fron”, që gjendet në Muzeun e Kosovës, e kthyer nga Beogradi në vitin 2001.
Top Channel