
Kryetari i Aleancës Kuqezi Kreshnik Spahiu ka shfrytëzuar konferencën e
parë zgjedhore të partisë që drejton për njësinë numër 2 në kryeqytet,
për t’i bërë një propozim konkret partive politike, të cilat sipas tij
nga mëngjesi deri në darkë i servilosen politikës amerikane, ndërkohë që
nuk qeverisin dot si amerikanët.
Sipas Spahiut, nëse partitë politike do të pranojnë demokracinë e vërtetë, atëherë ato duhet të vendosin që asnjë deputet të mos bëhen ministër.
“Sistemi parlamentar sot, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve ne të cilat ne do të shkojmë do të vuajë dhe çalojë përsëri sistemin e partisë-shtet. E keni parë se si i servilosen demokracisë amerikane? Këta nga mëngjesi në darke janë servilë të amerikanëve, por qeverisin si rusët, sepse këta i kundërshtojnë dhe i thyejnë gjithë parimet dhe standardet amerikane. Në Amerikë dhe në demokracinë amerikane, Qeveria është e ndarë nga Kongresi, kryetari i shtetit nuk është kryetar partie dhe ne sot i bëjmë apel këtyre kryetarëve të partive,të cilët i servilosen nga mëngjesi në darkë diplomacisë amerikane, t’i themi: Pranoni propozimin e Aleancës Kuqezi për standardet amerikane, ku në Kuvendin dhe në Qeverinë e ardhshme të ndajmë partinë nga Kuvendi dhe nga Qeveria, asnjë deputet të mos jetë ministër”, tha Spahiu.
Sipas kreut të Aleancës Kuqezi, nëse partitë politike nuk do ta mbështesin këtë propozim, atëherë edhe Parlamenti që pritet të dalë pas zgjedhjeve të 23 qershorit do të vuajë sindromën e partisë shtet.
Top Channel