Zmbrapset mësymja e xhihadistëve në Mali

22/02/2013 15:35

Forcat e ushtrisë franceze dhe ato të Malit zmprasën një mësymje të militantëve islamikë mbi një zonë strategjike të qytetit verior të Gaos, lajmëruan të premten mediat ndërkombëtare.

Ministri francez i Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian, deklaroi se trupat më në fund kanë arritur që të largojnë militantët nga godina e bashkisë së qytetit.

“Trupat e ushtrisë së Malit, të mbështetura nga komandot francezë, eliminuan të paktën pesë xhihadistë dhe situata duket e rikthyer nën kontroll”, deklaroi Le Drian.

Në ngjarje të tjera në vendin e varfër afrikan, rebelë të lidhur me Al-Kaedën shpërthyen një autobombë pranë një baze franko-çadiane, duke vrarë të paktën një person.

Franca, ish-zotëruesi kolonial i Malit, pranoi në 10 janar thirrjen e qeverisë vendase për ndihmës, pas avancimit të militantëve në veri.

Falë ndërhyrjes së Parisit, aktualisht është rikthyer kontrolli i qeverisë mbi të gjitha qendrat e mëdha të banuara në vend, por ka shumë pikëpyetje për të ardhmen e vendit, pas tërheqjes së paralajmëruar të francezëve dhe zëvendësimit të tyre me një koalicion trupash afrikane në muajin mars.

Në dhjetë muajt e fundit, të fuqizuar nga armatimet e siguruara gjatë krizës libiane (2011-12), tre grupime të fuqishme islamike arritën të vendosnin veriun e Malit nën administrimin e tyre, por tashmë duket se janë shpërbërë në disa fraksione më të vogla.

Një prej shteteve më të varfëra në botë dhe i kufizuar në veri nga shkretërira e Saharasë, Mali ka një sipërfaqe të përafërt me atë të Francës, Gjermanisë e Italisë marrë së bashku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA