
Në një ceremoni të organizuar mëngjesin e të premtes, Ministria e Drejtësisë inauguron regjistrin dixhital noterial.
Që prej një marsit në të gjithë vendin, çdo veprim dhe akt noterial që firmosin noterët do të kalojë automatikisht në regjistrin noterial shqiptar në formën e arkivës dixhitale.
Perveç administrimit te dokumentave, por edhe monitorimit ne kohe nga Ministria e Drejtesise, ky regjister noterial pritet të shmangë abuzimet me kontrollet, duke qenë se sistemi ofron raporte të sakta dhe jo subjektive.
“Ky sistem është i lidhur me sistemin ‘One stop shop’ për noterët dhe është po ashtu i lidhur me Sistemin e Taksave, të Tatimeve, me Sistemin e Bashkisë, të Regjistrit të Gjendjes Civile, me Sistemin e Përmbarimit, me Sistemin e Drejtorisë të Transportit Rrugor për shitjen e automjeteve, me bankat dhe me radhë me të gjithë sistemet e tjera. Ky sistem do të jetë i aplikueshëm nga një masë, në të gjithë Shqipërinë, por është një sistem në të gjithë Shqipërinë dhe nga janari i vitit 2014 do të funksionojë nënshkrimi elektronik për të gjitha aktet noteriale”, tha ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi.
“Qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka që 4-vjecari i ardhshëm të jetë mobile-Albania, Shqipëria e celularit. Qytetarët kanë një kompjuter në xhep dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që ata nga ky kompjuter të marrin shërbimet më të mëdha, të kenë transparencën më të madhe”, tha kryeministri Sali Berisha.
“Në një kohë rekord të gjitha veprimet dhe aktet noteriale do të kalojnë nga noterët në Ministrinë e Drejtësisë, gjë e cila do të rrisë së tepërmi transparencën e veprimeve noteriale, do të rrisë së tepërmi ndërhyrjen e Ministrisë së Drejtësisë për të realizuar supervizione ndaj veprimtarisë noteriale, do të modernizojë së tepërmi edhe profesionin tonë, do të krijojë statistika të reja që ne do të na shërbejnë për përmirësimin e punës sonë dhe në këtë njëjtën kohë do të rrisë bashkëveprimin midis institucionit të noterisë dhe institucioneve të tjera kombëtare”, tha Mimoza Sadushi, presidente e Dhomës Kombëtare të Noterisë.
Zyrtarisht thuhet se per softin e ketij regjistri noterial elektronik, ekipi i eksperteve u eshte referuar modeleve te Francës, Italisë dhe Austrisë.
Top Channel