Reeker: Frymë paqeje në Ballkan

22/02/2013 00:00

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker zhvilloi të premten një tur të rëndësishëm takimesh me drejtuesit dhe politikanët më të lartë shqiptarë.

Vizita e zotit Reeker në Tiranë vjen në një kohë kur Departamenti amerikan i Shtetit i ka tërhequr vëmendjen qeverisë shqiptare për retorikën nacionaliste, që konsiderohen të dëmshme për stabilitetin e rajonit.

Por tonet e ashpra të asaj që u quajt “memo nga Departamenti i Shtetit për qeverinë shqiptare” nuk u shfaqën në asnjë prej njoftimeve zyrtare. Zyra e kryeministrit thotë se: “takimi mes zotit Berisha dhe zyrtarit të lartë amerikan u zhvillua në një atmosferë shumë të hapur dhe miqësore”.

Takimi, që ka zgjatur për më shumë se dy orë, u  zhvillua në formën e një dreke pune, të cilën kryeministri Berisha duket se e ka shfrytëzuar për të theksuar se Shqipëria sheh tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës aleatin e saj strategjik.

Njoftimi thotë se në takim u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy vendeve, veçanerisht si partnere në NATO. Zyra e kryeministrit thekson se, “zoti Reeker i ripohoi kryeministrit Berisha, se SHBA do të vijojnë të mbështesin fuqishëm Shqipërinë dhe rajonin, përfshire edhe përpjekjet për integrim në Bashkimin Evropian”.

Përsa i përket zhvillimeve të fundit në rajon, të diskutuara gjatë takimit, në njoftim thuhet se kryeministri Berisha ka shprehur mirënjohjen ndaj qeverisë amerikane për mbështetjen e palëkundur për paqen dhe stabilitetin e rajonit, perspektivën euroatlantike të tij dhe në veçanti për mbështetjen e paçmuar ndaj Republikës së Kosovës.

Ashtu siç pritej, dy politikanët e lartë kanë diskutuar edhe rreth përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Duke theksuar masat e marra nga administrata zgjedhore për rritjen e shpejtësisë dhe transparencës në votim dhe numërim, si dhe për vendosmerinë e qeverisë për respektimin e standardeve më të larta demokratike, kryeministri Berisha i kërkoi zyrtarit të lartë amerikan që SHBA të dërgojnë numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve në zgjedhje.

Philip Reeker zhvilloi një takim pasdreke edhe me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Për takimin, që zgjati rreth një orë, nuk ka një njoftim zyrtar nga zyra e Partisë Socialiste, por besohet se temat e diskutimit mes Philip Reeker dhe Edi Ramës nuk duhet të kenë qenë shumë të ndryshme nga ato të diskutuara me kryeministrin Sali Berisha. Reeker u takua edhe me ministrin e Jashtëm Edmond Panariti.

Top Channel