Oskar Pistorius do të lihet i lirë me kusht, sepse nuk përbën asnjë rrezik për t’u arratisur jashtë Afrikës së Jugut.
Gjykatësi Desmond Nair e deklaroi këtë, pas leximit të vendimit, që lidhej me kërkesën e paraqitur nga atleti, i akuzuar për vrasjen e së fejuarës, modeles 29-vjeçare Riva Stinkamp.
Nair foli për mungesë të copëzave, që do ta bënin të plotë këtë ngjarje. Gjatë leximit të vendimit, gjykatësi pyeti se, përse Pistorius nuk e thirri të fejuarën përpara se të qëllonte dhe përse ajo mos të kishte bërtitur për t’i thënë se ndodhej aty.
Pistorius do të paguajë 1 milionë rand, apo 85 milionë euro për çështjen. Një e dhjeta e shumës duhet të dorëzohet, ndërsa pjesa tjetër do të jetë garanci.
Atleti, që do të paraqitet sërish në gjykatë më 4 qershor, duhet të dorëzojë të gjithë pasaportat, armët, të paraqitet çdo ditë në komisariat dhe të qëndrojë larg aeroporteve.
Timoshenko rikthehet në burg
Ish-kryeministrja e Ukrainës qëndroi për 9 muaj në spital
Ish-kryeministrja e Ukrainës, Julia Timoshenko, rikthehet në burg, pasi kaloi mbi 9 muaj në spital. Ajo u kurua për problemet në shtyllën kurrizore, të cilat u shfaqën pas dënimit me burg në vitin 2011, e akuzuar për abuzim të pushtetit.
Akuzat lidhen me një marrëveshje gazi të nënshkruar me Rusinë, në kohën kur mbante postin e kryeministres së vendit, në vitin 2009.
Vitin e kaluar ajo deklaroi se ishte shumë e sëmurë për të marrë pjesë në procedurat ligjore, që lidheshin me një tjetër akuzë; për përfitim të fondeve publike.
Autoritetet e Ukrainës po hetojnë edhe akuza për evazion fiskal dhe përfshirje në vrasje. Por, pavarësisht dënimit, ajo mbetet një politikane popullore në vend.
Përkrahësit thonë se qëllimi i burgosjes së saj është për të bllokuar “kundërshtaren” e presidentit aktual, Viktor Janukoviç.
Kerri nis të dielën turin e parë
Ndalesa e parë në Europë dhe më pas në Lindjen e Mesme
Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, do të nisë të dielën turneun i tij në Europë dhe Lindjen e Mesme.
Në qendër të takimeve të tij do të jetë situata në Siri. Në kohën kur lufta civile po trondit periferitë e Damaskut, në Europë dhe Lindjen e Mesme, kryediplomati amerikan do të takohet me kundërshtarët e presidentit sirian, Bashar al Assad, që aktualisht është në një pozitë të vështirë.
Situata në Siri nuk është e huaj për sekretarin Kerri. Gjatë seancës së konfirmimit, ai përmendi se si njëherë presidenti Assad i kishte kërkuar ndihmë.
Në Berlin, Kerri do të bisedojë me homologun rus, Sergei Lavrov, për të cilin dialogu në Siri është një përparësi.
Shefi i diplomacisë amerikane do të takohet me ministrat e Jashtëm në Londër, Paris, Berlin, Riad, Ankara, Kajro, Abu Dabi, Doha, si dhe me udhëheqësit e opozitës siriane në Romë.
Top Channel