Atleti paraolimpik, Oscar Pistorius, i cili përballet me akuzën e vrasjes së të dashurës së tij, u lirua me kusht pas disa seancash të gjata dëgjimore.
Në bazë të vendimit të gjykatës së Pretorias, në Afrikën e Jugut, 26-vjeçari do të presë i lirë muajt përgatitorë përpara nisjes së gjyqit, ku ai rrezikon burgimin e përjetshëm nëse do të shpallet fajtor për vrasje me paramendim.
Pistorius detyrohet që gjatë kësaj kohe të mos largohet nga vendi dhe të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm me prokurorinë.
Në argumentimin e saj, prokuroria kishte kërkuar që lirimi i Pistorius të refuzohej mbi bazën e dyshimet se ai mund të arratisej nga vendi.
Megjithatë, gjykatësi Desmond Nair vendosi se “nuk ka argumente të besueshme që të mbështesin besimin se Pistorius mund të largohet” dhe se ai nuk mund të konsiderohet një rrezik për shoqërinë, duke qenë se nuk ka shfaqur shenja të një personaliteti agresiv.
Gjykatësi Nair kritikoi gjithashtu punën e prokurorit Hilton Botha, të shkarkuar një ditë më parë nga kjo çështje për shkak të problemeve të tij personale me ligjin.
Megjithatë, ai shtoi se mbetet ende e çuditshme për të kuptuar, se si ka mundësi që atleti paraolimpik hapi zjarr, pa kërkuar më parë që të kuptonte se cili mund të ishte fshehur në tualet.
Ne FOTO: Atleti paraolimpik Oscar Pistorius dhe e ndiera Reeva Steenkamp, disa muaj perpara tragjedise se Shen Valentinit
29-vjeçarja Reeva Steenkamp, një modele dhe personalitet televiziv në Afrikën e Jugut, u vra në orët e para të mengjesit të Shën Valentinin, me katër plumba të qëlluara nga një pistoletë e Pistorius, i cili pretendon se e ngatërroi të dashurën me një grabitës.
Sipas avokatëve mbrojtës të atletit, nuk ka pasur asnjë paramendim apo dashje në këtë vrasje, por akuza mbështet versionin e vrasjes me paramendim, ndërsa ka sjelllë në gjykatë edhe disa dëshmi kontradiktore, të disa fqinjëve që pretendojnë se dëgjuan një zënkë në shtëpinë e Pistorius, përpara se të dëgjoheshin të shtënat.
Top Channel