Londër, në pranga celula terroriste

22/02/2013 00:00

Londra lëshon alarmin për një gjeneratë të re terroristësh. Autoritetet britanike arrestuan 3 persona me akuzën e planifikimit të akteve terroriste të frymëzuar nga propaganda në internet.

Në pranga përfunduan 3 shtetas britanikë me origjinë pakistaneze, Irfan Naser, 31 vjeç, Irfan Khalid 27 vjeç dhe Ashik Ali 27 vjeç. Sipas policisë londineze, tre të ndaluarit synonin të rivalizonin për nga numri i viktimave sulmet e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Ata kanë udhëtuar disa herë drejt Pakistanit ku janë njohur me eksponentë të Al Kaedas. Me rikthimin në Angli, në bashkëpunim nisën të mbledhin para për të financuar rekrutimin e personave të nevojshëm për planin e tyre.

Sipas këtij plani, 8 kamikazë do të hidheshin në erë thuajse njëkohësisht në zonat më të populluara të Londrës. Agresorët, vec bombave do të armatoseshin edhe me armë luftarake e thika si dhe lëndë tejet helmuese për të shkaktuar sa më shumë viktima.

Autoritetet britanike ranë në gjurmë të grupit kur zbuluan një sasi eksplozivi të vendosur në një kat pallati në Birmingham dhe në Midlands. Pas kësaj u zbardh i gjithë plani i sofistikuar i celulës terroriste.

Sipas hetuesve britanikë, tre të ndaluarit ishin frymëzuar për sulmet terroriste nga videot në internet të klerikut radikal jemenas të lindur në SHBA, Anuar al-Aulaki.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA