
Kryeministri japonez, Shinzo Abe, udhëton drejt Shteteve të Bashkuara për bisedime në lidhje me fortifikimin e një aleance sigurie mes dy kombeve.
Abe, i cili u zgjodh si kryeministër në dhjetor, do të takohet me presidentin amerikan, Barack Obama, ditën e premte në Washington.
Tënsionet me Pekinin (Kinën), për shkak të një mosmarrëveshjeje territoriale, dhe me Korenë e Veriut, për shkak të testeve të fundit bërthamore, priten të jenë kryefjala e axhendës së kësaj vizite. Por, edhe lidhjet ekonomike, përfshi marrëveshjen e tregtisë aziatike, do të diskutohen.
Abe është kryeministri i 5-të japonez, që është takuar me Obama-n, në zyrën e këtij të fundit. Ai shërben si lider i Japonisë për të dytën herë, pas asaj periudhe të shkurtër në fuqi gjatë 2006-07.
Vizita e tij shihet si një përpjekje për të mbështetur një aleancë sigurie mes dy vendeve, që i ka rrënjët prej disa dekadash tashmë. Lidhjet mes tyre u tendosën disi, nën drejtimin e Partisë Demokratike që ishte në pushtet, për shkak të një konflikti mbi zhvendosjen e bazës ushtarake amerikane në Okinawa.
Por, Abe, i cili është lideri i administratës së Partisë Liberal-Demokratike, ka folur rreth nevojës për të kthyer në prioritet aleancën Japoni-SHBA, pas dinamikës së ndryshimeve rajonale.
Top Channel