Indi, 2 shpërthime radhazi, 12 të vdekur

22/02/2013 02:00

Dy shpërthime kanë vrarë 12 persona në qytetin jugor indian të Hyderabad, në atë që kryeministri Manmohan Singh e cilësoi si “sulm të poshtër e frikacakësh”.

Shpërthimet që goditën qytetin në Andhra Pradesh ndodhën me diferencë kohore prej 10 minutash, sipas policisë. Pamjet televizive shfaqin trupat e viktimave, të cilët çohen me nxitim në spitale.

Ministri i Brendshëm indian tha se bombat ishin vendosur në dy biçikleta, në largësi 150 metra nga njëra-tjetra, pranë një tregu të mbipopulluar frutash.

Qytetet kryesore janë vënë nën alarm, ndërkohë që policia po heton për shkaqet e shpërthimeve.

“Numri i të vdekurve është rritur në 12, ndërsa të plagosur janë 57”, tha sekretari i Brendshëm, RK Singh, pas një takimi të nivelit të lartë të sigurimit, menjëherë pas ngjarjes.

Raportime të pakonfirmuara flasin për rritje të mundshme të të vdekurve.

Shpërthimet ndodhën pas orës 14:30, në një distancë prej 150 metrash, tha ministri i Brendshëm, Sushil Shinde. U raportua për një shpërthim të tretë të mundshëm pas tyre, njoftoi policia e Hyderabad-it.

Asnjë grup nuk e ka marrë përsipër sulmin deri më tani. Autoritetet kanë marrë sinjalizime për sulme të mundshme në vend, por asnjë informacion specifik se ku apo kur do të ndodhin, tha Shinde.

Informacioni i ka kaluar autoriteteve shtetërore, shtoi ai, teksa kryeministri Singh i ka bërë thirrje popullit për të ruajtur qetësinë. “Fajtori nuk do të shpëtojë pa u ndëshkuar”, shkroi ai në Twitter.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA