BE, recesion edhe në 2013-n

22/02/2013 15:20

Recesioni në Eurozonë do të zgjasë edhe gjatë vitit 2013, parashikoi Komisioni Europian në raportin e tij të fundit mbi pritshmërinë ekonomike të këtij viti.

Shumica e qeverive janë duke u përpjekur që të vendosin në jetë programe shkurtimi, ndërsa Spanja, Franca dhe Portugalia pritet që përsëri të mos jenë në gjendje të respektojnë kufijtë e defiçitit kombëtar.

Defiçiti buxhetor i Spanjës ishte 10,2% i Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2012, 6,3% mbi objektivin e venë dhe pritet të tejkalojë normën edhe në dy vitet e ardhshme.

Sipas këtij parashikimi të KE-së, PBB i përgjithshëm i BE-së në vitin 2013 do të tkurret me 0,3%, ndërsa parashikimet e mëparshme sugjeronin një rikthim të rritjes, ndonëse në nivele minimale prej 0,1%.

Në vitin 2012, Eurozona si e tërë përjetoi një recesion prej 0,6%.

Në publikimin e këtyre përfundimeve, zëvendëspresidenti i Komisionit, Olli Rehn, u shpreh se papunësia në BE pritet që të vazhdojë të rritet deri në nivelin e 12,2% të forcës aktive për punës, nga 11,4% në fund të vitit të shkuar.

I vetmi lajm i mirë është se trajektorja e rritjes pritet të përjetojë një rritje të fortë drejt fundit të vitit. Pas tre tremujorëve të parë në recesion apo stanjacion, periudha tetor-dhjetor 2013 pritet të shënojë një rigjenerim të rëndësishëm ekonomik, duke shënuar një rritje prej 0,7%.

Top Channel