
Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë Philip
Reeker viziton sot Tiranën. Gjatë vizitës dy ditore, Reeker do të
takohet me krerët më të lartë të shtetit. Axhenda e takimeve të
diplomatit amerikan nis ditën e sotme, ku Reeker do të takohet Ministrin
e Jashtëm Edmond Panariti, me të cilin pritet të ketë një diskutim të
gjatë të kërkuar nga vetë zv/ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe
Euroazinë.
Reeker gjithashtu do të takohet edhe me presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha, dhe kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama.
Pritet që zhvillimet më të fundit në vend, si dhe zgjedhjet e 23 Qershorit, do të jenë në fokus të diskutimeve të zyrtarit të lartë amerikan i cili pritet të japë një mesazh të rëndësishëm për politikën shqiptare.
Pjesë e bisedimeve mendohet të jenë dhe retorikat nacionaliste, për të cilat disa herë është tërhequr vëmendja nga SHBA dhe Brukseli. Pak ditë më parë, në emisionin “Top Story” u publikua një memo konfidenciale që Uashingtoni ja niste Tiranës, ku i kërkohej të frenonte retorikat nacionaliste. Dokumenti, të cilën ambasada amerikane në Tiranë dhe Ministria e Jashtme refuzuan ta komentojnë, u la mbi tryezën e ministrit të Jashtëm, në datën 28 janar dhe u arrit të sigurohej pas një investigimi disa-ditor të gazetarëve të “Top Channel”, duke u transmetuar ekskluzivisht në “Top Story”, emisionin e përjavshëm politik të drejtuar nga Sokol Balla.
Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka dhënë hollësi për agjendën e zyrtarit të lartë Reeker se a do të qëndrojë edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Top Channel