120 mijë persona me aftësi të kufizuara do të marrin pjesë në votime në zgjedhjet e 23 qershorit vetëm nëse u plotësohen kërkesate tyre për fletë të posacme për të verbërit, rampa për karrocat e paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve si dhe kërkesa të tjera.

Kreu i Këshillit të Aftësisë së Kufizuar, Sinan Tafaj në një takim me Kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve  në prani dhe të përfaqësuesve të OSBE-së i ka parashtruar këto kërkesa.

“Të prodhohen shabllonet për t’i dhënë mundësi të vërbërve që të votojnë me shabllon në mënyrë të pavarur dhe të fshehtë dhe të bëhet një kabinë, një dhomë e fshehtë, e vecantë për personat me aftësi të kufizuara për të verbërit. Qendrat e votimit të jenë në katet e para dhe aty ku ka shkallë të vendosen rampa. Të trajtohet cështja e njerëzve që nuk dëgjojnë në mënyrë që televizioni publik, por mundësisht edhe televizionet private, shpjegimet që japin për votim, udhëzimet për procedurat të bëhen edhe me gjuhën e shenjave. Personat me aftësi të kufizuara të kenë mundësi të votojnë me përparësi që të mos presin në radhë”, tha zoti Tafaj.

Tafaj tha se ka gjetur mirëkuptimin e kryetares së KQZ-së lidhur me kërkesat e tyre. Ndërkohë burime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thonë se është akorduar një fond i posaçëm nga buxheti i shtetit për të përmbushur kërkesat në mënyrë që personat me aftësi të kenë shanse të barabarta gjatë procesit të votimit.

Këshilli i Aftësisë së Kufizuar dhe njësitë vendore do të dërgojnë në KQZ listat e personave me aftësi të kufizuara që kanë të drejtë vote.

Top Channel