Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se marrja e datës për
fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE do të ishte një shtysë për
arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën në proçesin e bisedimeve.

Në një prononcim për mediat serbe pas takimit me homologun Hashim Thaçi, Daçiç ka thënë se mosmarrja e datës do të krijonte tek serbët përshtypjen se BE nuk po i afron ata dhe se dialogu me Prishtinën është i kotë.

Megjithatë, ai ka nënvizuar se Serbia nuk e dëshiron zgjidhjen e problemit të veriut vetëm për të marrë datën e negociatave, duke e cilësuar këtë si një përshtypje të paarsyeshme.

Daçiç ka theksuar se marrëveshja për strukturat paralele serbe në veri nuk u arrit në takimin dyditor për shkak se bëhet fjalë për një problem të komplikuar.

Megjithatë, kryeministri serb ka vlerësuar se çështja në fjalë duhet të zgjidhet sa më shpejt për shkak se Serbisë koha dhe rrethanat politike nuk i leverdisin.

“Raportet ndërkombëtare janë të atilla sa që nuk mund të llogarisim se në një periudhë të afërt do të ndodhë ndonjë ndryshim revolucionar dhe të gjithë do të mbështesin palën serbe. Prandaj është në interesin tonë të arrihet një marrëveshje e drejtë”, ka rekomanduar Daçiç.

Ai ka shtuar se Beogradi preferon që çështja e institucioneve paralele të zgjidhet duke mos e përfshirë çështjen e statusit, duke krijuar institucione të pranueshme si për Prishtinën, ashtu dhe për Beogradin.

“Nga njëra anë, serbët duhet të jenë të kënaqur që ai do të jetë pushteti i tyre dhe nga ana tjetër, Prishtina duhet ta pranojë këtë pushtet dhe të mos e shohë si një bashkësi që do të punonte kundër saj”, ka saktësuar Daçiç.

Top Channel