Kosova dhe Serbia janë më afër se kurrë politikisht njëra me tjetrën, por marrëdhëniet mes popujve ngelen të tensionuara. Dialogu, si formë për zgjidhjen e problemeve, ka dhënë rezultate dhe do të jetë rruga e vetme për një pajtim dhe normalizim të problemeve. Por, ka treguar mjaft efekte anësore negative.
Në një konferencë në qendrën mediatike të Beogradit, të organizuar nga Komiteti i Helsinkit dhe organizata gjermane “Forum ZFD”, është folur për mundësinë e tejkalimit të problemeve.
Petar Milletiç, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, tha se pjesëmarrja e serbëve në institucionet e Kosovës nuk ka qenë e gabuar, ndonëse marrëveshjet nuk janë zbatuar në tërësi gjatë bisedimeve dhe kjo ka shkaktuar probleme financiare për shkak të pagesave në kufi.
“Për katër vjet kemi punësuar disa mijëra serb në pjesën jugore dhe kështu i kemi lidhur me Kosovën. Kurse në veri, çdo ditë hidhen në erë makina, rrihen dhe plagosen njerëzit, ngrihen barrikada dhe protestohet. Por, ne dhe qeveria e Serbisë nuk kemi kontakt. Kur flasim për perspektivën e serbëve në Kosovë, më e mirë është ajo e serbëve në jug se sa në veri, edhe pse gjeografikisht veriu është më afër Serbisë”, tha Petar Milletiç.
Për analistët dhe politikanët nga Kosova e Serbia, bisedimet nuk kanë arritur pritshmërinë, por mes rreshtash mund të kenë një fund të suksesshëm për normalizim.
“Cili është qëllimi i këtij dialogu? Të mos gënjehemi, është heqja dorë nga deklaratat e dikurshme të presidentit Tadiç, se Serbia nuk do ta njohë Kosovën në asnjë mënyrë, De Facto dhe De Jure. Pas takimeve të dy presidentëve dhe kryeministrave, kjo do të ndodhë të paktën De Jure, kurse De Facto do të ndodhë më vonë”, tha përfaqësuesi i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën.
“Në një Kosovë europiane duhet të respektohen të drejtat e pakicave, ashtu siç duhet të respektohen edhe në Serbi. Në një reciprocitet dhe standarde të njëjta, do të ishte e papranueshme që në Kosovë të ketë standarde më të larta dhe pakicat të kenë të drejta më shumë se shqiptarët në Serbi. Këto standarde duhet të jenë të barabarta për të gjithë”, u shpreh Adriatik Kelmendi, analist nga Kosova.
Serbia dhe Kosova kanë të paktën një nevojë gjeografike për komunikim.
Top Channel