Ndërkohë që në anën politike integrimi i Kosovës lidhet me marrëveshjet e dialogut me Serbinë, në anën teknike ky proces varet tek përmbushja nga vetë qeveria e Kosovës e kushteve të vëna nga Brukseli.

Në takimet me zyrtarët më të lartë europianë, Kryeministrit Hashim Thaçi iu përsërit se ka ende punë për plotësimin e kushteve, si për çeljen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ashtu edhe për liberalizimin e vizave.

“Komisioni Europian është i gatshëm të propozojë në pranverë direktivat negociuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit nëse Kosova bën hapa të tjerë thelbësorë në prioritetet e mbetura. Progres thelbësor është arritur në reformën e administratës publike, mbrojtjen e minoriteteve dhe në shtetin e së drejtës. Kuptoj se Kosova është angazhuar në përmbushjen e prioritetit të katërt, tregtisë, nga mesi i marsit”, deklaroi Jose Manuel Barroso, President i Komisionit Europian.

Me tone më të zbutura se në Kuvendin e Kosovës për vonesat në integrim apo për çështjen e vizave, në Bruksel Kryeministri Thaçi fajësoi historinë e freskët apo pasojën e luftrave. Ndërsa Barrozo kërkoi zbatim për liberalizimin e vizave, Van Rompuy qartësoi se nuk është proces politik, por teknik.

Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës: Duke parë dhe kontekstin historik dhe politik, jo për faj të saj, Kosova ka mbetur vonë në këtë proces, sepse është e fundit që ka fituar lirinë dhe që është pavarësuar në rajon. Tani nuk kemi kohë për të humbur. Brukseli nuk duhet vonuar. Qytetarët e Kosovës janë duke pritur me padurim që të lëvizin drejt proceseve integruese, në veçanti në procesin e lëvisjes së lirë, që tani është më tepër pengesë politike sesa teknike. Por Kosova do t’i kryejë të gjitha obligimet dhe do t’i zbatojë të gjitha kriteret demokratike në kohë rekord.

Jose Manuel Barroso: Ne jemi të kënaqur me progresin në legjislacion, por Kosova duhet të bëjë më shumë për zbatimin dhe ne kemi dhënë rekomandimet e detajuara për këtë.

Herman Van Rompuy, President i BE-së: BE do që Kosova t’ia arrijë. Por më lini ta them qartë se është një proces teknik dhe se duhen përmbushur kriteret e nevojshme.

Nëse shënohen rezultate në dialog  dhe nëse vendi përmbush kushtet teknike në muajt në vijim, Barroso dhe Rompuy theksuan se viti 2013 do të jetë një vit i rëndësishëm në marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës, gjë që mund të dëshmohet me vendime konkrete që në samitin e muajit qershor.

Arta Tozaj

Top Channel