Situata e sigurisë në veri të Kosovës nuk është e qëndrueshme, duke parë
incidentet e shumta, kryesisht ndëretnike, të regjistruara së fundmi.

Ka qenë ky vlerësimi që është bërë të martën në takimin e Komitetit Komunal të Sigurisë, raportojnë mediat kosovare.

Drejtori i komitetit, Behxhet Bala ka deklaruar se shpërthimet e fundit kanë shkaktuar tensione në zonën veriore, ndërsa zyrtarët e EULEX-it kanë njoftuar rritjen e masave të sigurisë pas këtyre incidenteve.

Mbrëmjen e së dielës në veri të Mitrovicës u sulmua një shtëpi ku banonte një banor serb dhe bashkëshortja e tij shqiptare, të cilët denoncuan ngjarjen në polici.

Burimet policore konfirmuan se mbrëmjen e 17 shkurtit një bombë u hodh në shtëpinë e Slavolub Mashiç, rreth orës 19:30, në Lagjen e Boshnjakëve. Zëdhënësi i policise Besim Hoti tha se nuk pati të lënduar në njerëz por vetëm dëme materiale.

Deri më tani autoret e sulmit nuk dihen. Sa u përket motiveve, policia në bazë të hetimeve të bëra konstatoi se sulmi mund të ketë qenë i motivuar etnikishit për faktin se bëhet fjalë për një martesë të përzierë.

Edhe para të dielës, rastet e sulmeve, kryesisht me granata dore që u hidhen shtëpive, kanë qenë shumë të shpeshta dhe në disa raste ka pasur edhe persona të plagosur.

Top Channel