Rama: Të bashkojmë energjitë

17/02/2013 00:00

Ka qenë ky momenti që kryetari i opozitës Edi Rama i është referuar si një shembull që duhet ndjekur nga të gjithë, jo vetëm brenda Partisë Socialiste, por edhe në shoqërinë shqiptare, të bashkimit për të kontribuar dhe evitimit të hatërmbetjeve.

Gjatë prezantimit në zonën elektorale në Peqin të kandidatit të PS-së Alfred Peza, janë bashkuar për të dhënë kontribut në atë që kryetari i opozitës e quan “skuadra e fitores së 23 qershorit” edhe drejtues lokalë të PS-së pavarësisht pozicionit të tyre në listat për deputetë të kësaj force politike. Rama tha se “të bashkuar do t’i japim mundësi Peqinit të rilindë”, mesazh që u përforcua me premtime konkrete nga kandidati Peza.

“Do i japim familjeve të zakonshme të gjithë këtij rrethi mundësinë për të rilindur me ëndrra, shpresa, ekonomi dhe perspektivë për fëmijët e tyre”, deklaroi Edi Rama.

“Në katër vitet e ardhshme do të hapim 1000 vende pune. Do të marrë fund historia e 10 vetave me rroga në Peqin e të tjerët pa punë. Nuk do të ketë më futje në punë me lekë. Peqini do të rilindë brenda mandatit tonë të parë”, u shpreh nga ana e tij deputeti Alfred Peza.

Duke iu referuar shembullit të Peqinit, Rama edhe nga Selia Rozë, ku prezantoi kandidatin e Partisë Socialiste në Kavajë, Parid Cara, i mëshoi mesazhit të bashkimit: “Ata dhanë shembullin më të shkëlqyer të vënies së qëllimit të madh të familjes sonë politike, mbi çdo mërzi të natyrshme që mund të lindë në momentin kur në skuadër ndahen rolet dhe natyrisht jo të gjithë mund të jenë në formacionin e parë. Ishte një nga ata shembuj për të cilët ka nevojë jo vetëm Partia Socialiste, po politika dhe vetë shoqëria shqiptare. Një shembull që shumëfishon energjitë pozitive të anëtarëve dhe mbështetësve tanë përditë. Një shembull që përcaktoi një standard etik për shprehjen e çdo ambicieje legjitime brenda familjes sonë politike. Uroj që ky shembull të pasohet nga të tjerë.”

Duke prezantuar kontributin e Parid Carës për qytetin e tij të lindjes, Kavajën, Rama tha se ky qytet që ka nisur të rilindë pas fitores së Bashkisë nga socialistët pas 8 majit, do të njohë më shumë zhvillim si një qytet me shpirt demokrat që në këto 22 vite është më i nëpërkëmburi nga forca politike në pushtet.

Cara u shpreh: “Sot, pas 22 vitesh harresë, Kavaja nuk është më bastion i asnjë force politike. Sot Kavaja ëhtë bastion i qytetarëve të saj.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA