Tentuan të korruptojnë policinë për të shmangur ndëshkimin, në pranga dy shtetas Gjykata e Mukallës në Jemen dënoi me nga 6 vjet burg tre marinarët shqiptarë të anijes EOS, e cila u sekuestrua në fund të dhjetorit në portin Mukalla të Jemenit.
Procesi gjyqësor zgjati pak më shumë se gjysmë ore dhe përfundoi me dënimin me 6 vjet burgim për tre marinarët dhe kapitenin shqiptar të anijes si dhe gjobë 115.000 euro. Gjithashtu, gjykata vendosi sekuestro për ngarkesën dhe anijen, ndërsa dy marinarët indianë do të dëbohen brenda 40 ditësh nga Jemeni, menjëherë pasi anija të ketë shkarkuar ngarkesën e saj në magazinat e ushtrisë së Jemenit.
Në vendimin e gjykatës u vlerësua se ngarkesa që anija EOS po transportonte ishte e jashtëligjshme, ndërsa kompania greke gjykohet se kishte dijeni për këtë trafik. Sipas gjykatës, palët kanë të drejtë të apelojnë vendimin. Gjyqi u zhvillua në prani të konsullit të nderit që ka Shqipëria në Jemen dhe atij të Irakut, Ministria e Mbrojtjes të së cilit ishte porositësi i armatimeve, ndërsa kompania greke nuk mundi të dërgojë avokatë dhe përkthyes pasi autoritetet jemenase refuzuan dhënien e vizave për dy avokatët dhe përkthyesin e tyre nga Arabia Saudite.
Kompania greke deklaroi se pas këtij vendimi fshihet vendimi i mëparshëm i autoriteteve jemenase për të shtirë në dorë ngarkesën disa milionë dollarëshe që EOS po transportonte, ndërsa i konsideron marinarët pengje të një vendi që nuk njeh demokraci. Kompania ka kërkuar nga kompanitë e sigurimeve të anijes dhe ngarkesës që të protestojnë pranë autoriteteve, ndërsa ka dërguar edhe protesta në Nato dhe Bashkimin Europian. Sipas informacioneve të deritanishme, dy marinarët shqiptarë janë dërguar në burgun e Mukallës në pritje të apelimit të çështjes, ndërsa kapiteni Arif Bakillari u dërgua sërish në spital pas problemeve kardiake që ka shfaqur kohët e fundit.
Top Channel