Karzai ndalon ndihmën ajrore të NATO-s

16/02/2013 15:45

Presidenti afgan Hamid Karzai ka deklaruar se forcave afgane të sigurisë do t’u ndalohet të kërkojnë ndihmë për sulme ajrore të huaja në zonat e banuara.

Zoti Karzai deklaroi se ai do të lëshojë një dekret ditën e djel, kur kanë kaluar më pak se 10 ditë nga vrasja e 10 civilëve në një sulm ajror gjatë natës në provincën lindore të Kunarit.

Forcat e NATO-s në Afganistan nuk pritet të bëjnë një reagim ndaj këtij njoftimi, derisa dekreti të jetë lëshuar zyrtarisht. Viktimat në radhët e civilëve janë një burim i vazhdueshëm i tensioneve mes qeverisë afgane dhe forcave aletate të vendosura në Afganistan.

“Do të lëshoj një dekret ditën e djel, që forcat afgane të sigurisë, në asnjë rrethanë, të mos kërkojnë avionë të huaj për të kryer operacione në shtëpitë dhe fshatrat tona”, ka thënë Karzai.

Trupat e NATO-s janë programuar të tërhiqen nga Afganistani nga fundi i vitit 2014 dhe gradualisht po ia kalojnë përgjegjësinë për sigurinë kolegëve afganë.

Korrespondentja e BBC në Kabul, Karen Allen thotë se forcat afgane tashmë kontrollojnë 90 për qind të të gjitha operacioneve të sigurisë.

Por për fat të keq, forcat ajrore afgane janë ende të dobëta, kështu që mbështetja ajrore e NATO-s konsiderohet jetike, sidomos në operacionet në terrene të vështira malore, ku fshihen guerrilasit dhe liderët e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA