
“Nëse do të dëshironim bombën bërthamore, do të kishim ndërtuar, pavarësisht presionit ndërkombëtar ndaj të cilit Irani nuk gjunjëzohet”.
Kjo është deklarata e lideri suprem iranian, Ajatollahut Ali Khamenei. Kreu i Republikës Islamike deklaroi se nuk është tek synimet e Iranit ndërtimi i bombës bërthamore, pasi Teherani e konsideron atë krim kundër njerëzimit.
Deklarata e liderit shpirtëror dhe politik në Iran u bë gjatë një takimi në Teheran. Në mesjavë, Teherani njoftoi lajmin e vënies në punë të centrifugave të gjeneratës së re. Këto centrifuga përshpejtojnë procesin e pasurimit të uraniumit në masën 20 përqind.
Irani vuan sanksione të forta ndërkombëtare në lidhje me programin e tij bërthamor, që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore e cilësojnë për qëllime ushtarake, por që mohohet nga Teherani.
Paketat e fundit përforcuese të sanksioneve ndërkombëtare kundër Republikës Islamike rrëzuan në nivele galopante monedhën vendase, Rial duke rritur inflacionin.
Në fillim të javës Izraeli lëshoi alarmin se Irani është pranë kalimit të asaj që kryeministri Netanjahu e quan vija e kuqe. Vija e kuqe e përshkruar nga kryeministri izraelit në një takim të OKB-së, përbën fazën finale të ndërtimit të bombës bërthamore nga Irani.
Top Channel