Përfundimi thuajse tërësor i punimeve në tunelin e autostradës Tiranë-Elbasan ka çuar atje për inspektim kryeministrin Sali Berisha, i cili u shpreh i kënaqur që në këtë vepër të re infrastrukturore janë përdorur standardet më të mira bashkëkohore.

Tuneli i Krrabës, me gjatësi 2.4 kilometra në secilin prej tubave të tij, ndodhet 13 kilometra larg Tiranës dhe rreth 10 kilometra larg Elbasanit, duke përgjysmuar pothuajse distancën mes dy qyteteve dhe duke u shndërruar në një nga nyjet nevralgjike të sistemit rrugor shqiptar.

“Jam jashtëzakonisht i gëzuar me përfundimin e këtij tuneli, de facto ky shënon pothuaj edhe përfundimin e rrugës. Së shpejti në një hark kohor pak mujor, Tirana dhe Elbasani do të jenë qytetet më të afërta njëri me tjetrin në Shqipëri. Kjo është një ëndërr shekullore, e qytetarëve të Elbasanit dhe qytetarëve të Tiranës,  që  është bërë realitet”, deklaroi Berisha gjatë inspektimit.

Autostrada Tiranë-Elbasan pritet të bëhet e kalueshme në fund të majit, çka koinçidon me kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas kryeministrit Berisha, kjo autostradë është një prej premtimeve të tij të shndërruara në realitet, pavarësisht asaj që e cilësoi si përpjekje të kreut të opozitës Edi Rama për ta bllokuar ndërtimin e saj, kur nuk lejoi deputetët e opozitës të votonin buxhetin 2 vjet më parë.

“Predominoi, inati, smira dhe zilia tek kundërshtarët tanë dhe jo shpirti konstruktiv i bashkëpunimi dhe kënaqësia, që do të ndienin për bërjen realitet të një ëndrre të bukur të më shumë se 1.2 milion shqiptarëve. Megjithatë ardhja e tij këtu dhe kërkesa e një ndjese, mendoj unë, do të ishte akti më qytetar”, u shpreh Berisha.

Investimi në tunelin e Krrabës kap shifrën e rreth 100 milionë dollarëve, ndërsa e gjithë autostrada kushton rreth 293 milionë dollarë. Por, megjithëse ky është një investim i kushteueshëm, për kryeministrin Berisha autostrada Tiranë-Elbasan, me tunelin dhe urat e saj, që llogariten të ndërtohen në 1.2 kilometra gjatësi, ky është një investim i paçmueshëm.

“Kjo urë është ura më e gjatë e kësaj autostrade të një rëndësie nevralgjike për zhvillimin e tregut, transportit, por edhe vendit në tërësi. Faktikisht nuk po ndërtojnë vetëm një urë, një tunel apo autostradë, po ndërtojnë një histori të vërtetë, një histori shumë të rëndësishme në zhvillimin e këtij vendi”, theksoi Berisha.

Kryeministri premtoi se së shpejti do të nisin punimet edhe për ndërtimin e tunelit të Rrugës së Arbrit, një vepër tjetër infrastrukturore që kryeministri Berisha e cilësoi si një vepër transformuese për zhvillimin e pjesës verilindore të Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA