Për 5 vite, që nga shpallja e Pavarësisë, Kosova ka fuqizuar subjektivitetin ndërkombëtar dhe është konsoliduar si shtet.
Kështu ka vlerësuar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar, në prag të 5 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, duke përmendur edhe anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare si Bankën Botërore dhe Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Gjatë fjalës së tij, Thaçi ka përmendur edhe dialogun me Serbinë, të cilin e ka vlerësuar si process të përmbylljes së konflitit shekullor, që beson se do të përmbyllet me njohjen reciproke.
“Në këtë 5 vjetor të pavarësisë jemi edhe në një proces pozitiv atë të përmbylljes së konfliktit shekullor mes Kosovës dhe Serbisë, pra në një proces të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore, Kosovë-Serbi, një proces ky që duam të besojmë që me udhëheqjen e BE-së, mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve do të përmbyllet me njohjen reciproke dhe do të kemi një rajon të evropianizuar”, u shpreh Thaci.
Që nga e premtja Kosova do të fillojë ditët e festës së Pavarësisë së Kosovës.
Rrugët, dyqanet, ballkonet e shtëpive nëpër Kosovës do të stolisen me flamuj të Kosovës me rastin e 17-shkurtit.
Ora e parë e mësimit nëpër shkollat fillore dhe të mesme do t’i kushtohet tërësisht kësaj dite, kurse aktivitete tjera do të mbahen edhe gjatë së shtunës dhe festa qëndrore do të jetë më 17 shkurt.
Aktivitete do të ketë nëpër të gjitha komunat. Forca e Sigurisë së Kosovës do të parakalojë në qendër të Prishtinës, ndërsa Kuvendi do të mblidhet në ora 15, saktësisht 5 vite që nga shpallja e pavarësisë.
Top Channel