Presidenti i Francës, Francois Hollande, mbështeti kërkesën e Indisë për pasjen e një vendi të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Sipas Hollande, është e natyrshme që një vend me madhësinë, popullsinë dhe peshën ekonomike e politike të Indisë të ketë gjithmonë të drejtën për t’iu dëgjuar zëri në sferat më të larta të “familjes së kombeve”.
”Pozicioni ynë është i qartë dhe i njohur”, deklaroi Hollande, në një takim me homologun e tij, Manmohan Singh. “Ne jemi në mbështetje të kërkesës së Nju Delhit dhe pro një rikonceptimi të OKB-së dhe funksioneve të saj, në bazë të kushteve të reja politike në botë”.
Në takimin e përbashkët, Hollande dhe Singh biseduan edhe për mënyrat e ndryshime të forcimit të bashkëpunimeve ekonomike midis dy shteteve.
Këshilli i Sigurimit, një prej gjashtë organeve kryesore të OKB-së, është ai që angazhohet me ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botë.
Pesë shtete kanë një pjesëmarrje të përhershme dhe të drejtë veto. Kjo do të thotë se mjafton mosaprovomi i SHBA-së, Rusisë, Kinës, Francës apo Britanisë së Madhe, që një çështje e paraqitur në Këshillin e Sigurimit të rrëzohet.
Përveç vendeve me të drejtë veto, në Këshill marrin pjesë edhe dhjetë vende të tjera, të zgjedhura mbi kriterin gjeografik dhe politik, të cilat ndërrohen vazhdimisht midis tyre.
Prej kohësh, India kërkon që pjesëmarrja e saj pa të drejtë veto në Këshillin e Sigurimit të garantohet me një vend të përhershëm, diçka që do të kërkonte ndryshimin e statutit dhe kartës së OKB-së, reformë për të cilën Parisi zyrtar ka shprehur mbështetjen e tij.
Top Channel