Kriza, thellohet reçesioni i Eurozonës

14/02/2013 14:45

Reçesioni i eurozonës u thellua në tremujorin e fundit të 2012-ës, tregojnë shifrat zyrtare. Ekonomia e 17 vendeve që përdorin monedhën e përbashkët u tkurr me 0.6 për qind në tremujorin e katërt, që ishte më keq nga sa parashikohej.

Bëhet fjalë për kontraktimin më të ndjeshëm që nga fillimi i vitit 2009 dhe që tregon për herë të parë dështimin e grupit për të rritur ekonominë në çdo tremujor të kalendarit të vitit.

Publikimi i shifrave vjen pas lajmit se ekonomitë e Gjermanisë, Francës dhe Italisë janë tkurrur të treja më shumë nga sa parashikohej.

Një reçesion zakonisht përkufizohet kur ekonomia kontraktohet dy tremujorë rresht. Në tremujorin e parë të vitit të kaluar ekonomia e eurozonës nuk arriti të rrtej, por më pas në të dytin ra me 0.2 për qind dhe 0.1 për qind në të tretin.

Gjithashtu, shifrat e GDP-së e ulin edhe më tej euron, që ra për të tretën javë rresht kundrejt dollarit amerikan, prej 1.3320.

“Këto janë shifra të tmerrshme. Bëhet fjalë për një kontraktim të gjerë, që nuk reflekton panoramën pozitive të stabilizimit”, deklaroi ekonomisti Carsten Brzeski, nga “ING”.

Megjithatë ai shtoi: “Ne ende presim që rritja të kthehet gjatë 2013-ës. Por çdo kthim i rritjes do të jetë shumë i vogël, që do të thotë se impakti social i këtij reçesioni, sidomos në vendet periferike, do të jetë shumë i ashpër”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA