Frika e forcimit të Euros është përhapur në disa vende të Bashkimit Europian.
Franca, në mënyrë të veçantë, druhet se në të ardhmen mund të shtrenjtohen eksportet në vendet, që përdorin monedha të tjera, e për këtë arsye ministri i Financave, Pierre Moskovici, insiston të veprohet në mënyrë të koordinuar ndaj goditjeve të forta dhe që kursi i Euros të mos lihet vetëm në dorë të tregut.
Sipas Komisionerit të Çështjeve Monetare, Olli Rehn, sidomos vendet defiçitare të Europës Jugore vuajnë prej Euros së fortë.
Çështja e kursit të këmbimit të Euros mund të jetë, për këtë arsye, një nga pikat kryesore në axhendën e takimit të G20-ës, që zhvillohet këtë fundjavë në Moskë.
Monedha e përbashkët u forcua për të tretën ditë radhazi kundrejt dollarit amerikan.
Ekspertët thonë se oreksi i tregut për Euron është shtuar. Situata e eurozonës ka ardhur gradualisht në përmirësim, shpjegon Neil Jones, i “Mizuho Corporate Bank” në Londër, e bashkë me të edhe projeksionet për ekonominë globale.
Por, forcimi i tepërt i tij nuk i vjen për shtat bllokut. Japonia vendosi së fundi të zhvlerësojë Jenin, në mënyrë që të rrisë eksportet e saj, e pikërisht kjo lëvizje e Tokios detyroi Francën të kërkojë një debat mbi eksportet europiane.
“Vlera e Euros nuk është diskutuar në thellësi”, – thotë Parisi zyrtar, – “ndaj mendojmë se takimi i G20-ës do të ishte vendi i duhur për ta prekur më gjerësisht këtë temë. Olli Rehn, ndërkohë, kundërshtoi spekulimet rreth një falje borxhesh për Qipron, sipas shembullit të Greqisë.
Komisioneri i Çështjeve Monetare sqaroi, pas një takimi të ministrave të Financave të BE-së, se autoritetet në Bruksel nuk po punojnë për ndonjë pjesëmarrje të sektorit privat në një paketë shpëtimi për Qipron dhe se Greqia ishte një kandidat i veçantë dhe një rast i izoluar.
Top Channel