Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama ka uruar presidenten e Kosovës, zonjën Atifete Jahjaga, me rastin e pesëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e tij, presidenti Obama ka vlerësuar progresin e Kosovës që pas shpalljes së pavarësisë, si dhe ka rikonfirmuar miqësinë “e ngushtë” mes dy vendeve.

“E nderuar zonja Presidente, Ju përcjell urimet më të përzemërta juve dhe popullit të Kosovës me rastin e 5-vjetorit të pavarësisë së shtetit tuaj, më 17 Shkurt.

Viti që kemi lënë pas ka qenë në veçanti i rëndësishëm për Kosovën. Vendi juaj ka bërë hapa historikë në realizimin e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë dhe në anëtarësimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ndërsa mbetet ende punë për të bërë, Kosova ka ecur përpara në konsolidimin e institucioneve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në ekonomi, si dhe në zhvillimin e një shteti tolerant, gjithëpërfshirës dhe shumëkombësh.

Gjithashtu, janë bërë përparime në dialogun me Serbinë, që ka çuar përpara proçesin e normalizimit të marrëdhënieve, nga i cili do të përfitojnë qytetarët e Kosovës, fqinjët tuaj dhe i gjithë rajoni.

Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë miqtë tuaj të ngushtë dhe partner dhe mbesim të përkushtuar në qëllimin tonë të përbashkët që Kosova të sigurojë vendin e saj të merituar me një të ardhme evropiane të integruar, demokratike dhe të përparuar.

E admirojmë përparimin që Kosova ka bërë në këto pesë vitet e para të pavarësisë dhe mirëpresim që të punojmë bashkë me ju për më shumë të arritura në vitet në vijim”, thotë Obama në mesazhin e tij.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta