Afrohen qëndrimet e partive politike në Kosovë për zgjedhje me lista të hapura. Kjo do të thotë që qytetarët, gjatë votimit, mund të votojnë për kandidatin e preferuar për deputet.
Pamundësia e marrjes së një vendimi përfundimtar, nëse listat duhet të jenë të hapura apo të mbyllura, shoqërohet me frikën e përsëritjes së vjedhjes së votave brenda vetë subjekteve politike, sikurse në zgjedhjet e kaluara.
Në takimin e radhës, të liderëve partiakë për reformën zgjedhore, përfundimisht u vendos që Kosova të jetë një zonë zgjedhore. Ende ka mendime të ndryshme, nëse zgjedhjet lokale duhet të mbahen në vjeshtën e këtij viti, pra në afat kushtetues, apo ato të shtyhen, në mënyrë që të mbahen bashkë me zgjedhjet parlamentare, në 2014-n.
Por, ajo për të cilën janë pajtuar të gjithë është që zgjedhjet duhet të mbahen në sezonin kur dita është e zgjatur.
“Ka qenë e planifikuar me lista të hapura, ka ide edhe për lista të mbyllura, por, duke qenë se nuk ka ende konsensus, do të ishte mirë që të vazhdohet ende, edhe pse PDK përkrah opsionin që qytetarët të zgjedhin kandidatët brenda listës”, tha Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Pjesë e takimit të kryetarëve të partive politike, i cili u zhvillua në ambientet e Kuvendit të Kosovës, këtë herë ishte edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje. Albin Kurti tha se qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje për listat, që duhet të jenë të hapura, është përfundimtar. I pyetur për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, Kurti tha se Kosova ballafaqohet me probleme për shkak të pushtetit qëndror.
Kryetarët e partive politike diskutuan po kështu për vendet e garantuara dhe të rezervuara për komunitete. Siç dihet, Lëvizja Vetëvendosje është kundër rezervimit të ulëseve në Kuvend për serbët dhe të tjerët.
Çështje të tjera, për të cilat ende nuk është marrë vendim, janë pragu zgjedhor dhe koha e fushatës zgjedhore. Për këtë të fundit, diskutimet janë nëse duhet bërë 15 apo 30 ditë fushatë zgjedhore.
Top Channel