Irani aktivizon centrifugat e gjeneratës së re

13/02/2013 00:00

Irani aktivizoi centrifuga të gjeneratës së re për pasurimin e uraniumit, një tjetër hap përpara i Republikës Islamike në programin e saj bërthamor, pavarësisht presionit dhe sanksioneve ndërkombëtare mbi këtë cështje.

Kreu i organizatës iraniane për energjinë bërthamore, Fereydoun Abbasi-Davani konfirmoi lajmin. Aktivizimi i centrifugës së gjeneratës së re mendohet se ka ndodhur rreth një muaj më parë në centralin bërthamor të Natanzit.

Centrifugat e gjeneratës së re, përvecse shkurtojnë kohë në pasurimin mbi 20 përqind të uraniumit, sigurojnë edhe një proces më cilësor dhe të sigurtë për të. Alarmi për vendosjen e këtyre centrifugave në punë nga ana e Iranit u dha fillimisht nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore më 23 janar të këtij viti.

Teherani është vënë në shënjestër të sanksioneve të forta ndërkombëtare në lidhje me programin e tij bërthamor. Europa dhe Shtetet e Bashkuara deklarojnë se synimet e Iranit janë ushtarake, pavarësisht kundërshtisë së këtij të fundit me argumentimin se programi i tij bërthamor është tërësisht paqësor.

Top Channel