E rëndë në Korçë/ E mitura tenton t’i japë fund jetës për herë të tretë, shpëtohet nga fqinji. Institucionet nuk marrin masat e duhura Gjykata e Apelit shpalli vendimin e formës së prerë për 29 të akuzuarit e tragjedisë së 15 marist në Gërdec, duke dhënë pesë pafajësi nga nëntë që kishte vendosur gati një vit më parë Gjykata e Shkallës së Parë e kryeqytetit.
Ndërkohë që për shkak të kërkesës për gjykim të shkurtuar në Shkallën e Parë të të pandehurve Ylli Pinari, Dritan Minxolli, Mihal Delijorgji dhe shoqërisë “Albademil”, Apeli uli masën e dënimit me një të tretën për ta, duke e quajtur të gabuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, që nuk ua kishte ulur dënimin këtyre të pandehurve.
Për kreun e kompanisë “Meico”, Ylli Pinari, treshja gjyqësore vendosi nga 18 vjet burgim të dhënë nga Gjykata e Tiranës në 15 vjet burg, të cilës i ulet edhe një e treta e dënimit.
Për Mihal Delijorgjin gjykata uli një të tretën e dënimit prej 10 vitesh të shpallur nga Shkalla e Parë, e po ashtu për Dritan Minxollin nga 18 vjet burg u ul një e treta e këtij dënimi.
Ish-mbikëqyrësit e “Meico”, Sokol Ngjeçi, duke qenë se nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, i mbeti në fuqi dënimi me 10 vjet burg. Ndërsa ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, u dënua nga gjashtë vjet burg me 5 vjet heqje lirie për akuzën e shpërdorimit të detyrës nga kuadri komandues.
Ish-ushtarakut tjetër të lartë të Forcave të Armatosura, i dënuar me tre vjet shërbim prove nga Gjykata e Shkallës së Parë, u konsiderua i pafajshëm nga Gjykata e Apelit.
Gjykata rëndoi pozitat e ish-komandantit të forcave mbështetëse, Zija Bahja, i cili nga i pafajshëm prej Gjykatës së Tiranës u shpall fajtor për shpërdorim detyre dhe u dënua me tre vjet burg, dënimi pezullohet dhe konvertohet në periudhë prove.
Arsyetimi i vendimit
Si rrallë ndonjëherë, Gjykata e Apelit e ka publikuar menjëherë edhe arsyetimin e vendimit. Në një dokument që Top Channel disponon thuhet se, Gjykata e Tiranës ka gabuar duke mos pranuar faktin se të pandehurit kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, sepse sipas Apelit të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe kontributi i secilit të pandehur tregon nivelin e bashkëpunimit të kryer në bazë të marrëveshjeve të mëparshme.
Apeli vijon më tej duke u shprehur se, Gjykata e Tiranës ka gabuar kur thotë se nuk ka dëm të shkaktuar, sepse nga akti i ekspertimit, sipas Apelit, është dokumentuar masa e dëmit të shkaktuar.
Gjykata e Apelit e ka quajtur “të pabazuar në prova dhe në ligj” vendimin e Gjykatës së Tiranës për t’u refuzuar gjykimin e shkurtuar të akuzuarve kryesorë të çështjes, prandaj dhe vendosi t’u ulë atyre një të tretën e dënimit.
Në lidhje me akuzën e prokurorisë, që adresoi ndaj katër të pandheurve kryesorë akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese, Gjykata e Apelit shton se, Gjykata e Tiranës ka konkluduar drejtë me rrëzimin e kësaj akuze.
Më tej, argumenton gjykata, në lidhje me kushtet e sigurisë në punë në fabrikën e demontimit, subjekt i posaçëm për ruajtjen dhe mbikëqyrjen e punës, gjykata ka hequr përgjegjësinë nga “Meico” duke ia kaluar atë subjektit të nënkontraktuar, kompanise amerikane “Sac”.
Në lidhje me humbjen e 26 jetëve në Gërdec Gjykata e Apelit thekson: “Gjykata e Apelit Tiranë çmon se humbja tragjike e jetëve objekt akuze, është pasojë, pikërisht e shkeljes të rregullave të përcaktuara me ligj për mbrojtjen e rendit, sigurisë publike dhe jetës e shëndetit, të njerëzve, të mbrojtura në mënyrë të posaçme nga ligji material penal”.
Ndërkohë që në lidhje me ish-shefin e Shtabit, Gjykata e Apelit argumenton: “I pandehuri Luan Hoxha kryente detyrën e Shefit të Shtabit të Ushtrisë. Posti i lartë që ai mbante, përbënte majën e piramidës ushtarake të Republikës së Shqipërisë. I pandehuri Luan Hoxha, e dinte se teknologjia që përdorej për demontimin e municionit të kalibrit të vogël, nuk ishte e përshtatshme për demontimin e municionit të kalibrit objekt i aktit për të cilin akuzohet”.
Pavarësisht se mbajti për shumicën e të akuzuarve të njëjtën masë dënimi, edhe ky vendim i fundit i gjyqësorit shqiptar do të hapë një seri polemikash për shkak se në përfundim të tij të akuzuarit kryesorë përfituan një ulje dënimi.
Familjarët e viktimave të indinjuar
“Jeta e njeriut, biznes për sistemin e drejtësisë”
Familjarët e viktimave të Gërdecit deklarojnë se e kanë jetuar me indinjatë të thellë të gjithë atmosferën që pararendi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe me dhimbje e mosbesim dispozitivin që përcaktoi dënimet e zbutura për fajtorët e tragjedisë që simbolizon momentin më korruptiv të shtetit.
“Gjykata e Apelit sot ishte e rrethuar me mbi 100 efektivë të policisë dhe nuk mundën të dëgjonim vendimin e gjykatës në kushtet normale, për shkak se ngelëm jashtë dyerve të sallës ku u mor ky vendim. Morëm vesh nga mediat se fajtorët e këtij shpërthimi ishin shpërblyer me ulje të dënimeve deri në masën 30%”, thuhet në një deklaratë të familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit.
Sipas tyre, pamundësia për të patur drejtësi na bën që t’i drejtohemi opinionit publik duke e lajmëruar për rrezikun e vërtetë për ta, fëmijët e tyre dhe njerëzit më të dashur.
“Fakt është që korrupsioni shtetëror dhe privat na vrau në mes të ditës. Fakt është që drejtësia shqiptare krijoi çdo kusht që fajtorët të mos merrnin dënimin e merituar. Fakt është gjithashtu që ende opinioni publik ka dilemën nëse fajtorët, megjithëse të dënuar në masë qesharake, do t’i drejtohen ose jo qelive të burgut”, thekson deklarata.
Të afërmit e viktimave thonë më tej se, eshtë e dhimbshme që pas 5 vjet rropatje në dyert e drejtësisë kanë zbuluar vetëm se jeta vlen shumë pak për viktimat dhe është biznes shumë i mirë për të ashtëquajturin “sistem të drejtësisë shqiptare”.
Top Channel