Shitja dhe vota si këmbim

12/02/2013 00:00

Në prag të zgjedhjeve që do të mbahen në Itali në datat 24 dhe 25 shkurt për rinovimin e Dhomës së Deputetëve dhe Senatit, thellohen alarmet për blerjen e votave.

Nëse kryeminsitri aktual Mario Monti, apo përfaqësues të së majtës si Massimo D’Alema kanë akuzuar hapur ish-kryeministri Berlusconi për blerje votash tek zgjedhësit, shkrimtari dhe gazetari i njohur Roberto Saviano, në një intervistë dhënë për La Repubblica Tv, dhe më pas në faqet e gazetës La Repubblica, ka folur për skemën se si ajo realizohet, për fenomenin e votës së këmbimit në Itali, që për shqiptarët mund të tingëllojë si shumë familjarë.

Një fenomen, që sipas Savianos, tashmë përpos Italisë së Jugut është duke prekur edhe Italinë e Veriut. Bëhet fjalë për atë votë, që vret demokracinë në këmbim të një favori personal.

Saviano flet për dy lloje votash këmbimi: atë kriminal dhe tjetrin që e përcakton si “përshpejtues të të drejtave”. Në një vend ku mekanizmat institucionale janë të kompromentuara, politika bëhet një përshpejtues i të drejtave, një mënyrë kjo që sipas tij, shpesh është e vetmja rrugë për të arritur atë që është e vështirë apo e pamundur. Thënë qartë: t’i drejtohesh politikës për të kërkuar favore, duke kërkuar kështu si lëmoshë atë që të përket me të drejtë.

“Është një gabim shumë i rëndë, sepse në të vërtetë, në këmbim të një gjejë të vetme, ti po humbet gjithë të tjerat që demokracia dhe politika duhet të t’i japin. Duket sikur me votën tënde ti mund të fitosh një gjë, por në të vërtetë, po i mohon vetes të gjitha të tjerat”, thotë Saviano.

Saviano rrëfen mekanizmin e votës së këmbimit nëpërmjet skedës balerinë. Ditën e zgjedhjeve, persona të brendshëm marrin një fletë votimi bosh, të firmosur. E plotësojnë atë me emrin e kandidatit. Më pas, ia japin një votuesi. Ky i fundit, paraqitet për të votuar rregullisht me pashaportë.

I jepet skeda boshe në qendrën e votimit, të cilën ai e zëvendëson me skedën e plotësuar më parë. Skedën boshe ia dorëzon njeriut që ka kontaktuar fillimisht dhe atëherë i jepen paratë apo favori i premtuar.

Kjo skedë boshe i kalon një tjetër votuesi, i cili ndjek të njëjtën procedurë. Në fund, kur bëhet bilanci zyrtar i fletëve të votimit që mungojnë, mund të dalin dy, ose tre dhe shifra është reale, por në fakt është bërë një qarkullim skedash votimi, me mijëra e mijëra herë. Megjithë përbuzjen për politikanët që rezulton nga sondazhet, italianët  vazhdojnë t’i votojnë, pasi jane të vetmet autoritete mes tyre dhe së drejtës, mes tyre dhe favorit, çka heq vërtetësinë e zgjedhjeve, thotë Saviano.

Për shkak të mosbesimit në politike, njerëzit zgjedhin thërrmijat e dickaje të madhe, të cilën e dine se s’do t’ua japin. Poltikanë të vjetër, megjithëse të diskredituar, falë favoreve të mëparshme, ende mund të votohen. Por në këmbim të një gjëje të vetme, politikani të heq ato që të përkasin me të drejtë, vazhdon Saviano, dhe zgjedhesit i duhet të përballet pastaj me vite, madje edhe për breza, me politikanin që votoi në këmbim të një favori.

Mekanizmi vazhdon kështu dhe mund të ndërpritet vetëm nëse vota perceptohet si dicka me vlerë, si e rëndësishme për ndryshim , sa qe nuk dëshiron që ta shesësh, qofte edhe për të përfituar, atë gjë që me të drejtë duhet të të përkiste.  Nëse nuk ekziston ideja e një vote që ndryshon vendin, nis mekanizmi i klientelizmit, vazhdon Saviano.
Saviano thotë se përgjate kësaj fushate zgjedhore, publiku italian duhet të ishte ndërgjegjësuar për të mos shitur votat. Ai kujton se si në 2010, nëpërmjet shtypit i bënë të ditur OSBE-së cështjen e votës së kembimit dhe se si ajo e mori seriozisht dhe dha disponibilitetin për të kontrolluar votën, por duhej një kërkesë nga qeveria, gjë që nuk ndodhi.

Në këtë pikë Saviano ngre disa cështje: cfarë do të ndodhë? Monitorimi do të vazhdojë të jetë i ngadaltë dhe i besuar individëve, apo grupeve të izoluara, por ku askush nuk bëhet garant transparence dhe të thotë se si u zhvilluan zgjedhjet. Ndërkohë, shton ai, deri  më sot asnjë krah nuk është përballur me temën e votës së këmbimit, duke ngritur pyetjen që mbart antagonizëm mbi cështjen: a është ajo një armik i tmerrshëm, apo aleat i domosdoshëm?

Top Channel