Serbia mund të pranojë heqjen e institucioneve paralele në veri të Mitrovicës vetëm nëse formimi i institucioneve të reja është një proçes i transformimit, përkatësisht autonomisë për serbët në veri.

Kryeministri serb, Ivica Daçiç ka deklaruar se Serbia nuk mund të heqë institucionet e saj, pasi ky është një proçes për formimin e institucioneve të reja.

“Ne kemi dy çështje në rend të ditës, çfarë do të bëjmë me institucionet paralele, por edhe me veçantitë, përkatësisht autonominë për serbët në Kosovë”, ka thënë Daçiç.

Ai ka theksuar se, këto çështje duhet të bisedohen dhe të bëhet marrëveshje në të njëjtën kohë, por sipas tij, më parë duhet parë nëse ekziston gatishmëria për të dhënë një autonomi dhe a ka një qëndrim të bashkuar të shtetit serb.

Ndërkaq, presidenti Tomisllav Nikoliç ka takuar patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, me të cilin ka vlerësuar se situata në Kosovë është e brishtë dhe shqetësuese.

Takimi i radhës në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë pritet të ndodhë më 22 shkurt në nivel kryeministrash.

Top Channel