Ish-ndërmjetësi në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan, thotë se dy muajt e ardhshëm do të jenë kritikë sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për Radio Kosovën, ai thekson se, megjithatë, të dyja vendet po shprehin gatishmëri për t’i normalizuar raportet.
“Mendoj se të dyja palët kanë vullnet politik për dialog konstruktiv dhe për të ecur drejt suksesit. Mendoj se Beogradi dhe Prishtina duan të normalizojnë raportet. Por, dy muajt e ardhshëm do të jenë kritikë, sepse në prill Komisioni Evropian do të përgatisë raportin dhe deri atëherë shumica e problemeve duhet të jenë zgjidhur”, ka thënë Rohan, i cili ka rreshtuar vështirësitë kryesore të këtij proçesi.
“Duhet të bëhen disa marrëveshje. Së pari, duhet të bëhet tërheqja e personelit policor që gjendet në veri. Së dyti, mendoj se strukturat administrative dhe shëndetësore serbe duhet të legalizohen dhe ky proçes duhet të bëhet përmes zgjedhjeve lokale. Natyrisht, zgjedhjet nuk mund të mbahen shumë shpejt, ato me siguri do të mbahen gjatë vjeshtës. Po ashtu, duhet të fillojë të respektohen ligjet e Kosovës. Pra, mendoj se këto janë tri gjëra që duhet të zgjidhen. Nuk ka mbetur shumë kohë, janë vetëm dy muaj dhe duhet që ky dialog të udhëhiqet intensivisht nga negociatorët”, ka saktësuar Rohan.
Më tej diplomati austriak ka vlerësuar edhe ecurinë e shtetformimit të Kosovës në 5 vjet pavarësi, duke theksuar se që nga viti 2008 janë bërë progrese të mëdha.
“Mendoj se është një sukses i madh dhe askush nuk dyshon më në shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës. Të gjithë e dinë se ajo është realitet. Tashmë janë rreth 100 njohje dhe Kosova është bërë anëtare e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Mendoj se është bërë mjaft progres. Megjithatë, ende ekzistojnë disa dobësi, si gjendja ekonomike dhe sociale, niveli i papunësisë, dhe mendoj se në këto çështje duhet të fokusohen liderët politikë”, ka shtuar Rohan.
Top Channel