10 kanë qenë momentet kyçe, që formëzuan Papatin e Benediktit të 16-të.
Me zgjedhjen e tij, në moshën 78-vjeçare, prillin e 2005-s, pas 2 dekadash e gjysmë të kaluara në Vatikan, kardinali gjerman u kthye në personin më të moshuar, që merrte drejtimin e kishës katolike, prej më shumë se 275 vjetësh.
Drejtimi i tij do të rivendoste pikëpamjet tradicionaliste konservatore dhe rezistencën ndaj thirrjeve për ndryshim në sfondin e indinjatës, që kishin shkaktuar skandalet e abuzimit me fëmijët brenda kishës.
Në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet ndërfetare, Ati i Shenjtë do të ndërmerrte një udhëtim në Stamboll, një vit pas zgjedhjes.
Gjatë ndalesës në xhaminë blu, me lutjen e tij të heshtur u bashkuan edhe klerikë muslimanë. Kjo ishte e dyta vizitë papale në një vend të shenjtë islamik, në të gjithë historinë, dhe u shoqërua edhe me protesta nga disa grupe muslimane.
Papati i Benediktit të 16-të ka reflektuar, në të gjithë tërësinë e tij, besimin se kisha katolike duhet ta mbajë të mbërthyer fort bërthamën e saj tradicionale dhe vlerat ekzistuese, në një kohë ndryshimesh të shpejta.
Kjo duket se ishte arsyeja, përse marsin e vitit 2007 Ati i Shenjtë refuzoi thirrjet për një debat mbi çështjen e beqarisë së priftërinjve. Abstinenca, siç e bëri edhe një herë të qartë Ai, mbetet e detyrueshme për priftërinjte katolikë.
Ndalimi i komunionit për katolikët e divorcuar mbeti në fuqi, ashtu si dhe aborti, eutanazia apo martesat gay, të panegociueshme për Papën Racinger. Po atë vit, gjatë një vizite në Austri, Benedikti i bëri homazhet e tij viktimave të holokaustit, në një përmendore në Vjenë.
Papa, i rritur në provincën fqinje gjermane të Bavarisë, dhe në fëmijërinë e tij ish-pjesëtar i rinisë hitleriane naziste, shprehu keqardhjen për vuajtjet e popullit hebre, ndjenjën e miqësisë që ushqen ndaj tyre dhe, disa muaj më vonë, do të përmendte edhe përvojat e hidhura të rritjes nën “përbindëshin” e nazizmit.
Korrikun e 2008-s, erdhi ndjesa për abuzimet seksuale ndaj të miturve, nga disa priftërinj katolikë. Përpara peshkopëve të mbledhur në Sidnei, për ditën botërore të rinisë katolike, Racingeri përshkroi turpin, që kishin ndjerë të gjithë, e kërkoi që abuzuesit të përballeshin me drejtësinë.
Nuk kaloi pa bujë në media incidenti shokues i vigjiljes së Krishtlindjes në 2009-n, kur Papën e rrëzoi në tokë një grua, pak përpara kremtimit të meshës në bazilikën e Shën Pjetrit.
Susanna Maiolo, pas episodit befasues, u cilësua si “e paqëndrueshme mendërisht”. Problemet e pedofilisë u shpërfaqën sërish, marsin e vitit pasues, dhe Papa ndërmori hapin e paprecedentë, me letrën drejtuar katolikëve irlandezë, ku pranonte dëmet e bëra dhe kërkonte ndjesë për të gjithë abuzimet.
Megjithatë, imazhi i tij konservator nuk ishte i palëkundshëm, siç e dëshmoi qartë vetë Papa, dhjetorin e 2012-s, kur vendosi të hapte një llogari në Tëitter, e cila do të ishte e disponueshme në 8 gjuhë të ndryshme të botës.
11 shkurti i këtij viti shënoi dhe momentin, kur Benedikti zgjodhi të befasonte botën me vendimin e dorëheqjes së parë papale në 600 vjet, pas një ekzaminimi të përsëritur, që i kishte bërë ndërgjegjes, siç rrëfeu dhe vetë.
Top Channel