Komandoja që vrau Bin Laden pa pension

12/02/2013 15:35

S’ka nder, as pension dhe as sigurime shëndetësore për personin që vrau Osama bin Laden, armiku numër një i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Komandoja i njësisë Team Six, që natën e 1 majit 2011 i qëlloi tre herë në kokë liderit të Al Kaedës, la në shtator forcat e armatosura, pas 16 vitesh shërbim dhe tre vjet para minimumit të parashikuar, duke humbur çdo përfitim.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë komandoja në një intervistë për revistën mujore “Esquire”, ku për të mbrojtur identitetin e tij është identifikuar me pseudonimin “qëlluesi”, nga fakti që qëlloi sheikun.

“Teksa e shihja të merrte frymë për herë të fundit, mendova: Kjo është gjëja më e mirë apo më e keqe që kam bërë ndonjëherë?”, ka treguar komandoja.

“Sigurimi shëndetësor për mua dhe familjen time u ndërpre mesnatën e së premtes. Pyeta nëse mund të kishte ndonjë formë tjetër përfitimi, por përgjigjia që mora ishte: Jo, u largove nga shërbimi, mbulimi yt ka marrë fund. Tani ik pir…”, tregon më tej “qëlluesi”.

Në 16 vjet karierë ai ka vrarë me dhjetra armiq në misione të shumta, kryesori mes të cilëve ishte pikërisht ai kundër kreut të Al Kaedës, me të cilin u ndodh ballë për ballë kur hyri në dhomën e tij në kompleksin e Abotabadit, në Pakistan.

“Ishte në këmbë. I kishte duart në shpatullat e një gruaje të cilën po e shtynte përpara. Nuk e di nëse po e shtynte drejt meje. Unë e pash, pranë kishte një armë, kallashnikovin e tij të famshëm. Lëvizi përpara dhe në dorë kishte një pistoletë, ishte një kërcënim, kështu që e qëllova dy herë në kokë. Bum, bum. Plumbi i dytë e zuri teksa binte dhe kur ra në tokë iu afrova dhe e qëllova sërish. Bum, në të njëjtin vend”, ka treguar aventurën e tij komandoja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA