“Irani dhe Koreja, shtete batakçinjsh”

12/02/2013 00:00

Shefi në largim i Pentagonit, Leon Panetta, i cilësoi një kërcënim serioz për Shtetet e Bashkuara ambiciet ushtarake të Koresë së Veriut.

Në fjalimin e tij të lamtumirës, të mbajtur shumë shpejt pas njoftimeve se Penjani kishte kryer testin e tij të tretë bërthamor, Panetta e lidhi vendin komunist me Iranin, duke i etiketuar që të dy “shtete batakçinjsh”.

“Sapo e pamë ç’ka bërë Koreja e Veriut këto javët e fundit, një provë me raketë e tani një test bërthamor. Ato përfaqësojnë një kërcënim serioz për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Do të na duhet të përgatitemi për t’i bërë ballë kësaj situate”, tha Leon Panneta, sekretar i Mbrojtjes, SHBA.

Penjani e kreu provën e tretë bërthamore, edhe pse ishte e qartë se binte ndesh me sanksionet e Kombeve të Bashkuara. Por, këtë herë, rreziku për veriun komunist është më i madh se sa me testet e vitit 2006 dhe 2009.

Durimi po soset dhe Uashingtoni paralajmëroi se prova e fundit e rrit mundësinë për konflikt. Këshilli i Sigurimit reagoi ndaj testit, të cilin e dënoi me forcë. Organi përgjegjës i Kombeve të Bashkuara, për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare, deklaroi se do të nisë menjëherë punën për masa kundër Koresë së Veriut, që nuk heq dorë nga sfidat dhe, vetëm pak përpara mbledhjes së tij, kishte kërcënuar se veprime të tjera, edhe më të fuqishme, do të pasojnë testin bërthamor, si përgjigje ndaj agresivitetit të Shteteve të Bashkuara.

Pavarësisht sanksioneve të OKB-së, që vazhdojnë prej vitesh, programi bërthamor i Koresë së Veriut nuk është ndërprerë, por mjaft ekspertë mendojnë se as zgjerimi i sanksioneve nuk do të ndikojë mbi shtetin komunist, që me sjelljen e tij tregon se nuk ka dashur kurrë të bëhet pjesë e komunitetit ndërkombëtar.

Testi i tretë bërthamor i Koresë së Veriut, i realizuar të martës pas dy
testimeve të para në 2006-n dhe 2009-n, ngjalli reagime të ashpra
ndërkombëtare të të gjithë fuqive të mëdha. Kina, e vetmja superfuqi “dashamirëse” ndaj Penianit dënoi ashpër testin, ashtu si presidenti Obama, që theksoi se SHBA është e vendosur në mbrojtje të paqes dhe aleatit të tij, Koresë së Jugut.

Këto janë reagimet e kryesore ndërkombëtare, pas testimit bërthamor.

Barack Obama, President i SHBA-ve
“Një akt provokues, që minon stabilitetin në rajon, dhunon detyrimet e Koresë së Veriut, në dritën e rezolutave të shumta të Këshillit të Sigurimit në OKB, në kundërshtim me angazhimet e marra përsipër nga Peniani në 19 shtator 2005 dhe me deklaratën e përbashkët të bisedimeve 6-palëshe.  
Programi bërthamor dhe balistik raketor i Koresë së Veriut përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të paqes e sigurisë ndërkombëtare. SHBA-të mbeten vigjilente përballë provokimeve të Koresë së Veriut dhe do të jenë të shpejta e kudondodhura në zbatimin e mbrojtjen e angazhimet e marra ndaj të gjithë aleatëve në rajon. SHBA do të marrin hapa të qartë dhe të domosdoshëm, për mbrojtjen e vetes dhe të aleatëve tanë”.

Ministria e Jashtme Kineze
“Kina kundërshton me vendosmëri testin e fundit bërthamor. Ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Azinë Verilindore është një përparësi absolute për Kinën. Ne kërkojmë fuqimisht, që Korea e Veriut t’i përmbahet premtimeve për denuklearizimin dhe të mos realizojë asnjë veprim të mëtejshëm që mund të përkeqësojë situatën”.

Park Geun-hye, presidenti i zgjedhur i Koresë së Jugut (pret të marrë detyrën)
“Pavarësisht paralajmërimeve të fuqishme të komunitetit ndërkombëtar dhe Koresë së Jugut, Korea e Veriut realizoi një testim bërthamor, të cilin e dënojmë me tonet më të ashpra. Ky testim përbën një kërcënim serioz për paqen në gadishullin tonë dhe në botë, ndërsa dëmton në mënyrë të pashmangshëm besimin e ndërsjelltë midis dy vendeve tona”.

Ministria e Jashtme Ruse
“Me keqardhje, duhet të dënojmë veprimin e nxituar të një shteti me të cilin vendi ynë ka një histori të gjatë të fqinjësisë së mirë. Bëjmë thirrje për përmbajtje, nga Peniani, por edhe nga të gjithë vendet e tjera, kushdo qofshin, që të mos përdorin këtë ngjarje si justifikim për të rritur prezencën ushtarake në Gadishullin Korean”.

Shinzo Abe, kryeministër i Japonisë
“Testimi i Koresë së Veriut përbën një kërcënim të rëndë për sigurinë e Japonisë dhe një sfidë ndaj programeve ndërkombëtare të çarmatimit e denuklearizimi të botës. Japonia dënon me vendosmërinë më të ashpër këtë ngjarje”.

Ekstrakt nga deklarata e Ban Ki-moon, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së
“Sekretari i Përgjithshëm dënon testin e nëndheshëm të realizuar nga Korea e Veriut, që përbën një dhunim flagrant të rezolutave të Këshillit të Sigurimit. Është e vajtueshme që Peniani vazhdon të sfidojë komunitetin ndërkombëtar dhe thirrjen e tij të paekuivokueshme për t’u tërhequr nga të gjithë ngjarjet provokuese”.

Ekstrakt nga deklarata e NATO-s
“Dënojmë me tonet më të ashpra përdorimin e armëve bërthamore nga Korea e Veriut në këtë testim, një shkelje flagrante dhe e dënueshme e rezolutave të OKB-së. Ky akt i papërgjegjshëm, së bashku me lëshimin e raketës me rreze të gjatë në dhjetor 2012, kërcënojnë ashpër paqen ndërkombëtare dhe rajonale, sigurinë e stabilitetin. Vazhdimi i zhvillimit të armëve të shkatërrimit në masë nga Korea e Veriut përbën një sfidë të vazhdueshme ndaj Këshillit të Sigurimit dhe të gjithë komunitetit ndërkombëtar”.

William Hague, ministri i Jashtëm britanik
“Dënojmë me tonet më të ashpra këtë zhvillim, i cili bie ndesh me rezolutat 1718, 1874 dhe 2087 të Këshillit të Sigurimit.  Zhvillimet dhe testimet bërthamore nga Korea e Veriut vendosin në rrezik paqen ndërkombëtare dhe atë rajonale”.

Francois Hollande, President i Francës
“Dënoj me tonet më të ashpra këtë testim bërthamor të kryer nga Korea e Veriut. Franca kërkon sërisht që Korea e Veriut të përmbushë menjëherë të gjithë detyrimet ndërkombëtare, të kompletojë, verifikojë dhe të çmontojë në mënyrë të pakthyeshëm programin e tij bërthamor e raketor”.

Deklaratë e Ministrisë së Jashtme Gjermane
“Dënojmë me tonet më të ashpra testin bërthamor të Koresë së Veriut. Komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë në konsideratë sanksione të mëtejshme kundër regjimit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB