Incident në kufirin turko-sirian

12/02/2013 15:30

Një incident i ndodhur në kufirin turko-sirian pritet të tensionojë marrëdhëniet e acaruara midis dy fqinjëve.

Turqia dhe Siria u përfshinë në një shkëmbim të shkurtër zjarri në 2012-n, pasi disa predha të qëlluara nga ushtria siriane vranë pesë qytetarë turq në një qytet kufitar dhe që prej atëherë, ushtritë përkatëse qëndrojnë të mobilizuara përballë njëra-tjetrës.

Sipas “CNN”, trupat e Assad shënjestruan kryengritësit dhe civilët që po kalonin për në Turqi, duke rrezikuar në sulmin e tyre edhe rojet kufitare.

Një kryengritës i pranishëm në vendngjarje tregoi për mediat ndërkombëtare se një furgon i bardhë parkoi në anën siriane të pikës kufitare të Cilvegozut, duke shpërthyer disa minuta më vonë.

Më parë, ushtria kishte sulmuar pozicionet e rebelëve pranë kufirit, duke shkaktuar në total 13 viktima dhe 28 të plagosur.

Si rrjedhojë e veprimeve ushtarake, disa qindra civilë që i ishin drejtuar Turqisë u strehuan ku të mundnin dhe u detyruan të riktheshin mes plumbave në Siri, për të kërkuar një pikë më të sigurt për të kaluar kufirin.

Qeveria e Erdogan në Ankara është një prej kundërshtarëve më të ashpra të presidentit Bashar al-Assad dhe i ka hapur territorin turk prapavijës së kryengritësve.

Marrëdhëniet midis dy vendeve kanë ardhur në tensionim të vazhdueshëm, pasi në qershor 2012 ushtria siriane rrëzoi një gjuajtës turk, përpara se në tetor të bombardonte qytetin kufitar të Akçalesë.

Këtij agresioni, Turqia iu përgjigj me një bombardim të shkurtër me artileri të pozicioneve të ushtrisë së Assadit dhe me adresimin e një kërkese të aprovuar nga NATO, për vendosjen e raketave “Patriot” pranë kufirit, për mbrojtjen e Turqisë nga ndonjë agresion i mundshëm sirian në të ardhmen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA