Erdogan: Nuk heqim dorë nga BE

12/02/2013 15:20

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan theksoi se vendi i tij vazhdon të jetë i interesuar fuqimisht për anëtarësimin e mundshëm në Bashkimin Europian, pavarësisht deklaratave të mëparshme që linin të kuptohej e kundërta.

Turqia ka nisur procedurat për anëtarësim që në vitet 1980 dhe aktualisht është një vend kandidat, por negociatat kanë ecur shumë ngadalë dhe është plotësuar vetëm një prej 14 kapitujve të ndryshëm të reformave dhe ligjeve, që Brukseli kërkon prej Ankarasë.

Në një situatë të tillë, Erdogan deklaroi në janar se “Turqia nuk ka ndërmend të presë përjetë dhe se ajo nuk e ka të domosdoshëm integrimin europian”.

Në atë deklaratë, kryeministri la të nënkuptohej mundësinë e një afrimi të mundshëm me Rusinë dhe vendet Euroaziatike, duke ngjallur shqetësim në radhët e kancelarive perëndimore.

Megjithatë, në një takim me ambasadorët e vendeve të BE-së, Erdogan riktheksoi se “Turqia është e përkushtuar ndaj procesit të integrimit dhe reformave që do të bëjnë të mundur anëtarësimin e vendit tonë në BE”.

”Ne nuk kemi hequr asnjëherë dorë nga aspirata shumë-vjeçare e aderimit në bashkësinë e kombeve europiane”, shtroi kryeministri turk.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA