Arrestohet bosi i kartelit kolumbian

12/02/2013 16:00

Një shtetas kolumbian, i dyshuar si drejtuesi i një prej karteleve më të mëdha të drogës në vend, u arrestua ditën e martë në Panamanë fqinje.

I njohur shkurt si “Pichi”, keqbërësi akuzohet se drejton kartelin më të madh të drogës në qytetin e Medelinit, të bërë të famshëm për herë të parë në vitet 1980, prej aktivitetit të famëkeqit Pablo Escobar.

Arrestimi i tij u realizua pas bashkëpunimit të agjensive policore të disa shteteve amerikanojugore së bashku.

Midis akuzave të shumta që rëndojnë mbi “Pichin” janë edhe nëntë vrasje, për të cilat prokuroria pretendon se ka provuar përfshirjen e tij.

Vrasjet u motivuan nga rivaliteti midis karteleve të ndryshme të drogës. Ai besohet se është përgjegjës edhe për dhjetëra vrasje të tjera.

Karteli i Medelinit është një prej prodhuesve dhe eksportuesve më të mëdhenj të kokainës në vend, që më pas transportohet në SHBA dhe Kanada nëpërmjet Meksikës.

Presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos, përgëzoi policinë panameze dhe konsideroi arrestimin e “bosit” si një “ditë të bekuar për kombin”.

Top Channel