Sipas Komisionit Europian, mishi i kalit, që shitej për mish lope në lazanjat e kompanisë “Findus”, nuk ka dhënë shenja rreziku për shëndetin, në vendet ku është konsumuar.
Askush nuk ka vdekur dhe as nuk është sëmurë, tha një zëdhënës i Komisionit, sipas të cilit BE ndërhyn për ndalimin e një prodhimi, që qarkullon në tregun e përbashkët, vetëm kur ai paraqet rrezik për shëndetin e konsumatorëve.
“Vetë ministri britanik ka deklaruar se rregullat e BE-së nuk lejojnë pezullime. Duhet të jemi shumë të qartë, nuk po flasim për një çështje të sigurisë ushqimore. Me sa di unë askush nuk është sëmurë, pra kjo është vetëm një çështje etiketimi. Në këtë fazë, nuk do të ishte i duhur ndalimi i ndonjë produkti”, tha Frédéric Vincent, zëdhënës i KE për Shëndetin dhe Konsumatorin.
“Ishte një tregtar nga Qipro që ua dha holandezëve, që bleu mish rumun, që u shit në jug të Francës nga një kompani spanjolle, që kaloi nga Metz në Luksemburg, për t’u shitur në gjithë Europën. Kjo ndoshta ndodh çdo ditë me çfarëdolloj kombinimesh, a keni me të vërtetë besim se e keni nën kontroll situatën?”, u shpreh Marco Zatterin, korrespondent i “La Stampa”në Bruksel.
“Për mua kjo tregon se sistemi i gjurmueshërisë europiane funksionon. Ju përmblodhët çfarë është thënë në media dhe kjo tregon se ne mund të gjurmojmë se çfarë është bërë dhe kush e ka bërë. Në fund, janë vendet anëtare, që duhet të zbardhin çfarë ka ndodhur brenda territoreve të tyre”, tha Frédéric Vincent.
Sipas Komisionit, çështja e etiketimit të rremë është ende nën hetim nga vetë vendet anëtare të përfshira, të cilat pritet të marrin masat përkatëse ligjore. Ndërkohë, mediat angleze kanë raportuar se në prodhimet e transformuara, që thuhej se përmbanin mish lope, përveç mishit të kalit dyshohet të jetë përdorur edhe mish gomari.
Përgatiti: Ernest BUNGURI
Top Channel