
Deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare në opozitë Bekim Fazliu, e ka hedhur nga foltorja Rregulloren e Kuvendit, duke e cilësuar atë si një dokument që diskriminon përdorimin e gjuhës shqipe në Kuvend.
“A ka nevojë që të ndryshohet kjo Rregullore, ka nevojë edhe pse kështu siç është nuk respektohet. Ka nevojë sepse duhet të rregullohet çështja e përdorimit të gjuhës shqipe këtu në Parlament, duhet të bëhet barazia e gjuhëve në Parlament. Këto ndryshime duhet të bëhen, jo kjo Rregullore që askush nuk e respekton, më së paku ju”, deklaroi Fazliu.
Reagimi i deputetit të PDSH-së erdhi menjëherë pasi partia më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE, propozoi ndryshimin e Rregullores së Kuvendit në katër fusha, por që nuk kanë të bëjnë me avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe në Parlament.
“Propozojmë ndryshimin e Rregullores në katër fusha kyçe për funksionimin e shtetit. Ato janë, proçedura për ndryshimin e Kushetutës, miratimi i ligjeve që kanë të bëjnë me axhendën evropiane, proçedura për sjelljen e buxhetit shtetëror, si dhe tërë sistemi i çështjeve ekonomike që përfshihen në komisionin parlamentar për financat”, deklaroi Aleksandar Nikollovski, deputeti i VMRO-DPMNE-së.
VMRO-DPMNE propozon që debati parlamentar për fushat e lartëpërmendura të kufizohet. Deputetët e partisë shqiptare në pushtet, BDI, u shprehën pro ndryshimeve.
“BDI do t’i mbështesë këto ndryshime, duke qenë se aryetimi i propozuesit thotë se qëllimi është që të dinamizohet proçesi që ka të bëjë me axhendën evropiane dhe reformave në ekonomi dhe financë”, deklaroi deputetja Ermira Mehmeti.
Ndërkohë, propozimin e mazhorancës për të ndryshuar Rregulloren e Kuvendit e ka kritikuar ashpër opozita maqedonase, deputetët e së cilës janë duke bojkotuar punimet e Parlamentit.
Top Channel