
Qeveria e Kosovës ka përsëritur se ndarja apo statusi special për veriun nuk do të jenë asnjëherë tema të dialogut mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiç.
“Statusi special dhe ndarja nuk janë tema në diskutim. Temë është zbatimi i plotë i sovranitetit edhe në atë pjesë të territorit tonë”, ka thënë zv/kryeministri Hajredin Kuçi.
Në një prononcim për ”Koha Ditore”, Kuçi ka saktësuar se në takimin e pestë, kryeministrat Thaçi dhe Daçiç do të bisedojnë për shpërbërjen e strukturave paralele të Serbisë në veriun e Kosovës.
Takimi i radhës i dialogut të ndërmjetësuar nga shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton do të mbahet mes datave 19 dhe 21 shkurt.
Në një fjalim të mbajtur në fillim të muajit në Konferencën e Mynihut mbi Sigurinë, Ashton i cilësoi takimet e ardhshme kyçe për dialogun.
“Unë dua të çmoj trimërinë e atyre në Prishtinë dhe në Beograd që kanë lënë mënjanë historinë për t’u bashkuar. Por dua t’ju them të gjithëve se takimet e ardhshme do të jenë thelbësore”, iu drejtua Ashton të pranishmëve në konferencë.
Tema kryesore e këtij proçesi është veriu i Kosovës, çështje për të cilën të dy kryeministrat, Thaçi dhe Daçiç, janë angazhuar disa herë për ta zgjidhur.
Por zgjidhja duket se nuk do të jetë e lehtë për t’u arritur, pasi të dyja palët vështirë se do të lëvizin nga qëndrimet e tyre, Prishtina për largimin e strukturave dhe Beogradi për një autonomi.
Top Channel