
Izraeli lëshoi alaramin se Irani ndodhet pranë kalimit të asaj që kryeministri i shtetit hebre e quan “vijën e kuqe”.
“Iranianët janë më afër se kurrë ndërtimit të bombës atomike. Nuk kanë kaluar ende vijën e kuqe, por kanë shkurtuar ndjeshëm distancën kohore për ta bërë dicka të tillë”, deklaroi kryeministri izraelit gjatë një takimi në Izrael me krerët e komunitetit hebre në Shtetet e Bashkuara.
E ashtuquajtura “vija e kuqe” u përdor për herë të parë ng kryeministri Netanyahu gjatë një seanca të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara vitin e kaluar. Kryeministri izraelit ndau etapat e programit bërthamor iranian. Sipas tij, me kalimin e vijës së kuqe, që ishte pasurimi me mbi 20 përqind i uraniumit, Teherani shumë shpejt mund të ndërtojë bombën bërthamore.
Netanyahu i kërkon komunitetit ndërkombëtar të ndalojë Teheranin të shndërrohet në fuqi bërthamore, ndërkohë që vetë Republika Islamike deklaron se programi i saj bërthamor është tërësisht paqësor dhe se nuk ka synime ushtarake.
Megjithë argumentimin e Iranit, ndërkombëtarët tregohen skeptikë për këtë fakt, ndaj kanë vendosur një sërë sanksionesh ndaj Teheranit. Sanksionet që qendrojnë në fuqi prej vitesh, kanë ardhur gjithnjë duke u ashpërsuar. Shtetet e Bashkuara ndërmorën dy masa ashpërsuese të tyre vetëm brenda vitit të kaluar, sanksione këto që goditën sistemin financiar iranian duke bërë që monedha vendase, Riali të zhvlerësohet me hapa galopantë.
Top Channel