Iran, rritet presioni mbi opozitën

11/02/2013 16:25

Dy vajza të kryetarit të opozitës iraniane, Mir Hossein Mousavi, u arrestuan, ndërsa forcat e rendit kontrolluan të hënën banesat e tyre në kryeqytetin Teheran.

Kjo lëvizje vjen dy vjet pasi vetë Mousavi u vendos nën arrest shtëpie, duke i penguar pjesëmarrjen në aktivitete politike dhe komunikimin e drejtëpërdrejtë me bashkëshorten, familjarët e kolegët e tij.

Mousavi, si lideri i Lëvizjes së Gjelbërt, humbi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2009, përballë presidentit aktual Mahmoud Ahmadinejad.

Arrestimi i Mousavit provokoi në 2011-n protesta masive, të cilat u shtypën brutalisht nga autoritetet, duke i kushtuar jetën disa dhjetëra manifestuesve.

Sipas burimeve të opozitës, agjentë të policisë hynë në banesat e dy grave të martuara, Zahra dhe Narges, të cilat u shoqëruan në komisariat, pasi u lajmëruan të afërm që të vinin të kujdesseshin për fëmijët.

Nuk janë të qarta akuzat që rëndojnë mbi dy bijat e liderit të opozitës.

Sipas analistëve, arrestimi i tyre është pjesë e politikës së presionit, që autoritetet po realizojnë në prag të zgjedhjeve presidenciale, të muajit qershor.

Top Channel