”Për shkak të dështimit të ndërtimit të shtetit mbi Planin e Ahtisaarit, vlera politike e protestës së 10 shkurtit të vitit 2007 vazhdon të jetë aktuale”, tha sekretari organizativ i lëvizjes “Vetëvendosje”, Dardan Molliqaj.
“Kjo datë është një moment vendimtar në rrafshin politik në Kosovë. Është momenti i kundërshtimit të projektit politik që e ndan Kosovën përbrenda dhe ia mohon popullit të drejtën për vetvendosje, pra ia mohon qenien politike qytetarit të Kosovës. Demonstrata e 10 shkurtit 2007 është edhe një moment që e thekson çarjen e politikës në dysh, në atë të Planit të Ahtisaarit dhe në atë të konceptit të vetvendosjes së popullit”, theksoi Molliqaj, sipas raportimit të “Telegrafit”.
“Edhe pas 5 vjetësh të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vlera politike e 10 shkurtit vetëm sa është bërë edhe më shumë aktuale, pikërisht për shkak të dështimit të ndërtimit të shtetit përmes të Planit të Ahtisaarit”, shtoi ai.
Molliqaj tha se nuk është bërë asgjë në drejtim të nxjerrjes para drejtësisë të pjesëtarëve të kontingjentit rumun të Policisë së UNMIK-ut, nga të cilët u vranë në demonstratë dy protestues, Mon Balaj dhe Arben Xheladini.
Top Channel