Rruga Fushë Krujë-Milot po rehabilitohet nëpërmjet një investimi nga qeveria shqiptare dhe donatorët. Kjo rrugë në të cilën lëvizin 50 mijë banorë të Milotit, Laçit, Mamurrasit dhe Thumanës, është duke u riparuar në disa pjesë të saj.

Aksi Laç-Milot, i gjatë 7.7 kilometra. Kjo rrugë nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit është financuar nga qeveria shqiptare, BERZH, BEI dhe Bashkimi Europian.

Benet Beci, drejtor ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, deklaron: “Ky aks rrugor jo vetëm që do të lehtësojë trafikun, por do i japë edhe një zhvillim ekonomisë së zonës.”

Projekti parashikon dhe ndërtimin e 3 urave të reja dhe do të përfundojë për 12 muaj. Një tjetër rrugë në ndërtim është ajo që i shërben 10 mijë banorëve të Vorës, Kuçit, Picarit dhe Gjokajt. Bëhet fjalë për aksin Vorë-Kuç, 7.7 kilometra i gjatë që lidh këto fshatra dhe Vorën jo vetëm me njëra-tjetrën, por edhe me autostradën Tiranë-Durrës.

Kjo rrugë është financuar nga qeveria shqiptare dhe donatorë të tjerë.

Benet Beci thekson: “Ky projekt vjen si pjesë e strategjisë së zhvilllimit që qarku ka për zonën rurale të Tiranës”

Në funksion të një ndërhyrjeje rajonale për zhvillimin e Qarkut Tiranë, Fondi ka investuar në prioritetet kryesore të infrastrukturës të cilat kanë pasur impakt të drejtpërdrejtë zhvillimin rajonal dhe lokal. Në total janë 145 kilometra rrugë dytësore dhe lokale.

Top Channel