
Një sulm i ri vetvrasës tronditi Malin në orët e para të së dielës, duke vendosur në alarm trupat maleze dhe ato të koalicionit të huaj në ndihmë të vendit.
Një taktikë e tillë, ajo e sulmeve kamikaze, duket se po preferohet gjithmonë e më shumë nga organizatat terroriste në vendin e varfër afrikan, të vendosura përballë pamundësisë për të luftuar ftontalish apo qoftë edhe në luftë guerrile, trupat franceze dhe ato qeveritare.
Sulmi ndodhi në një postobllok në hyrje të qytetit verior të Gaos, deri përpara disa ditësh nën kontrollin e militantëve të “Ansar Dine”-s, një organizatë e lidhur ngushtë me Al-Kaedën.
Sipas mediave ndërkombëtare, kamikazi kishte si qëllim të shkaktonte një numër sa më të madh viktimash mes ushtarëve malezë, por ai nuk arriti të godiste në shënjestër.
Nuk ka njoftim për viktima midis civilëve.
Ky atentat është i dyti i kësaj natyre brenda kësaj jave dhe sipas analistëve, vendi mund të jetë në prag të një vale sulmesh kamikaze, të cilat kanë si qëllim që të mbajnë të destabilizuar Malin.
Franca, ish-zotëruesi kolonial i Malit, pranoi në 11 janar thirrjen e qeverisë vendase për ndihmë, pas avancimit të militantëve në veri.
Falë ndërhyrjes së Parisit, aktualisht është rikthyer kontrolli i qeverisë mbi të gjitha qendrat e mëdha të banuara në vend, por ka shumë pikëpyetje për të ardhmen e vendit, pas tërheqjes së paralajmëruar të francezëve dhe zëvendësimit të tyre me një koalicion trupash afrikane në muajin mars.
Në dhjetë muajt e fundit, të fuqizuar nga armatimet e siguruara gjatë krizës libiane (2011-12), tre grupime të fuqishme islamike arritën të vendosnin veriun e Malit nën administrimin e tyre, por tashmë duket se janë shpërbërë në disa fraksione më të vogla.
Një prej shteteve më të varfëra në botë dhe i kufizuar në veri nga shkretërira e Saharasë, Mali ka një sipërfaqe të përafërt me atë të Francës, Gjermanisë e Italisë marrë së bashku.
Top Channel